Rekordet e Liverpoolit në këtë sezon të Premier Ligës
Vetëm nëse ndodh ndonjë “çmenduri”, ose vendosin vetë ta humbasin. Në të kundërt, titulli kampion në Premier Ligë është i Liverpoolit.
“Reds” dhe Jurgen Klopp presin vetëm matematikën për të festuar trofeun, ndërsa deri atëherë mund të krenohen me rekordet në këtë sezon të futbollit anglez.
Mjafton të shohësh tabelën e renditjes për të kuptuar se sezoni i Liverpool deri në këtë moment është në limitet e perfeksionit. “Të Kuqtë” kanë regjistruar 23 fitore dhe vetëm një barazim në 24 javët e luajtura të Premier, duke koleksionuar 70 pikë. Askush më parë në historinë e kampionatit anglez nuk e kishte arritur këtë kuotë në 24 ndeshje. Me këtë ecuri, Liverpool thyen rekordin e Manchster United të vendosur në vitin 1999, kur “Djajtë e Kuq” dominonin jo vetëm në Premier por edhe në Evropë.
Mbresëlënës edhe numrat e tjerë të këtij sezoni për Jurgen Klopp dhe të besuarit e tij, që kanë shënuar 56 gola dhe kanë pësuar vetëm 15 të tillë, për të fituar statusin e mbrojtjes më të mirë të kampionatit. Të gjitha këto, kur mbeten edhe 14 javë deri në fund të sezonit. Kjo do të thotë se nëse vazhdon me këtë ritëm, në Angli duhet të përgatiten për rekorde të tjera nga ana e Liverpoolit.