Rekordi i radhës i Ronaldos vështirë të thyhet në ardhmen

18 janar 2025 | 18:26

Më 7 tetor 2002 filloi gjithçka. Cristiano Ronaldo shënoi golin e tij të parë si profesionist, me fanellën e Sportingut të Lisbonës, duke nisur një epokë që ende nuk ka përfunduar. 23 vite më pas, sulmuesi vazhdon të shënojë gola si ai që i dha fitoren Al-Nassr ndaj Al-Okhdood Club në “Saudi Pro League” më 9 janar 2025.

Sulmuesi luzitan, i cili vazhdon ta rrisë statusin si golashënuesi më i madh i të gjitha kohërave (me 918 gola), ia mori rekordin ish-shokut të skuadrës dhe mentorit të tij te Manchester United, Ryan Giggs. Futbollisti galik regjistroi një seri të pabesueshme që filloi më 4 maj 1991, duke shënuar golin e tij të parë me “Djajtë e Kuq”, dhe vazhdoi duke shënuar të paktën një gol për sezon deri më 23 shkurt 2013.

Cristiano Ronaldo sapo ka vendosur një rekord shumë të vështirë për futbollistët e tjerë, për shkak të qëndrueshmërisë së karrierës së tij dhe kompleksitetit të saj. Dhe ky rekord është i tillë, sepse në “klubin” e lojtarëve të shquar që kanë shënuar në 20 ose më shumë sezone futbolli profesionist, gjenden vetëm gjigantë të vërtetë si Pelé, Romario e Raúl González.

Leo Messi shpreson të hyjë në këtë “klub VIP” këtë sezon, pasi shënoi golin e tij të parë si profesionist me Barcelonën më 1 maj 2005. Argjentinasi po pret që sezoni i MLS të kthehet nga pushimi për të mundur të bëjë vend në këtë “Olimp të golit”. Megjithatë, duket se është e vështirë që Leo të mund ta vazhdojë karrierën e tij profesionale edhe katër vite më shumë se Cristiano, për të thyer këtë rekord.

Një lojtar në progres dhe që mund ta sfidojë Cristianon për këtë rekord, dhe disa të tjera, është Kylian Mbappé, i cili shënoi golin e tij të parë si futbollist profesionist më 20 shkurt 2016. Lojtari, tani 26 vjeç, ka 9 vite radhazi duke shënuar, dhe askush nuk dyshon që ai është një nga të zgjedhurit për golat, pasi ka shënuar më shumë se 300 gola.

Cristiano Ronaldo do të mbushë 40 vjeç më 5 shkurt dhe dy objektivat kryesore që i mbeten në karrierë janë të arrijë 1.000 gola e të fitojë Kupën e Botës 2026, në të cilën ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij. Portugezi, nëse vazhdon me progresin aktual, mund ta arrijë objektivin e tij të 1.000 golave.

Duhet pasur parasysh që CR7 shënoi sezonin e kaluar 43 gola dhe ka 13 vite radhazi duke e kaluar kufirin e 40 golave (në vit kalendarik). Futbollisti vuri një “bast” të guximshëm me kalimin në futbollin arab, por po merr shpërblime për këtë me shifra mbresëlënëse prej 81 golash në 90 ndeshje.

CR7 është një garanci për gola kudo që luan dhe duket se kjo do të mbetet e pandryshueshme për një kohë shumë të gjatë. Pyetja e madhe që të gjithë tifozët e bëjnë tani është se deri kur do të ketë akoma karrierë lojtari që nuk ndalon së thyeri rekorde. Pas vetëm 6 muajsh, kontrata e tij me Al-Nassr përfundon dhe gjithçka tregon se do ta rinovojë atë për të vazhduar të synojë rekordin e 1.000 golave.

Alternativa tjetër është të kthehet në Portugali dhe ta mbyllë ciklin me Sportingun e Lisbonës, ku ka debutuar. Ekipi i kryeqytetit luzitan është pjesëmarrës i zakonshëm në Ligën e Kampionëve dhe do të ishte i gëzuar ta mirëpriste një idhull, që do të sakrifikonte shumë para për t’u bërë i pavdekshëm. Ndërkohë, Cristiano vazhdon të shënojë gola rregullisht në Arabinë Saudite.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike…