Rekrutimi për pozita të larta, “CorrWatch” kritikon Ministrinë e Financave dhe atë Tregtisë
Iniciativa “CorrWatch”, konsorcium i organizatave të shoqërisë civile (GLPS, GAP dhe INDEP), ka shprehur shqetësim të thellë për mbyllje dhe mungesë të transparencës nga Ministria e Financave dhe Ministria e Tregtisë për proceset rekrutuese për pozita të larta.
CorrWatch ka thënë se MF dhe MINT nuk janë transparente në përzgjedhjen për pozitat e larta të drejtorit ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) në kuadër të MINT, sekretar i përgjithshëm në MFPT, drejtor ekzekutiv në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, drejtor ekzekutiv në Agjencinë Qendrore e Prokurimit (AQP).
“CorrWatch ka bërë kërkesë për monitorimin e këtyre pozitave por nuk jemi njoftuar për asnjërën fazë të procedurës për pozitat e lartcekura. Në rastin e drejtorit ekzekutiv në Agjencinë e Punësimit, CorrWatch është njoftuar që njësia përgjegjëse është duke pritur përgjigje nga ministri i MFPT. Për pozitën e drejtorit ekzekutiv në AQP dhe sekretarit të përgjithshëm në MFPT, CorrWatch nuk ka marrë asnjë përgjigje si dhe nuk është njoftuar për ta monitoruar procesin. Në MINT janë përgjigjur se do të lejohet monitorimi vetëm në fazën e verifikimit paraprak. Megjithatë, edhe përkundër konfirmimit, CorrWatch nuk është ftuar për monitorimin e fazën e verifikimit paraprak. Mohimi i përfshirjes së shoqërisë civile nga MFPT dhe MINT është i kundërligjshëm, cenon garancitë e dhëna me ligj si dhe transparencën si njëra nga shtyllat kryesore të meritokracisë. Një praktikë e tillë rrezikon që këto procese të mbyllura të jenë subjekt i ndikimeve politike dhe personale, duke minuar kështu besimin e qytetarëve në institucionet publike”, thuhet në reagimin e “CorrWatch”-it.
Projekti CorrWatch “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” zbatohet nga Group for Legal and Political Studies, Instituti GAP dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.