Rektorët e universiteteve publike paralajmërojnë protesta
Rektorët e gjashtë universiteteve publike në vend u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin hapa konkretë në zgjidhjen e problemeve rreth mbylljes së programeve të akredituara.
Ata kanë paralajmëruar protesta në forma të ndryshme deri në realizimin e kërkesave të tyre. Pas takimeve me kryeparlamentarin Kadri Veseli, zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe Komisionin Parlamentar për Arsim, Konferenca e Rektorëve, ka vlerësuar përkushtimin e tyre për gjetjen e zgjidhjes në lidhje me njoftimin e AKA-së për mbylljen e programeve të akredituara.
Konferenca e Rektorëve beson se reagimi i saj ka rikthyer në opinion publik çështjen e autonomisë së universiteteve, e sulmuar viteve të fundit nga grupet e interesit politik, si dhe ka shtuar besimin e profesoratit e të studentëve për ruajtjen e sistemit të lartë publik arsimor nga degradimi.
Po ashtu, Konferenca e Rektorëve është pajtuar me idenë e diskutuar në takime me institucionet e Kosovës për rishqyrtimin e strategjisë për zhvillimin e arsimit të lartë publik në vendin tonë dhe beson se studentët nuk duhet të pësojnë në këtë angazhim për arsimin e lartë publik dhe autonominë universitare.
Për më tepër, Konferenca e Rektorëve ka kërkuar që provimet e afatit të janarit dhe semestri i dytë të fillojnë në secilin universitet publik sa më shpejt që të jetë e mundur.
Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AKA) më 18 janar 2019, i ka njoftuar në formë elektronike universitetet publike të Kosovës, për vendimet e marra nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.
Ndërsa në mbledhjen e mbajtur më 15 dhe 16 janar 2019, KShC-ja ka tërhequr akreditimin për shumë programe studimore të universiteteve publike, posaçërisht të universiteteve të reja publike – 40 për qind të programeve që përfshijnë përafërsisht 70 për qind të studentëve.