Rektorët e universiteteve të Kosovës dhe Shqipërisë takohen më 10 qershor
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka takuar rektorët e universiteteve publike, të cilët i ka njoftuar për një tryezë të përbashkët me Shqipërinë e cila do të mbahet në Prizren më 10 qershor.
Ai ka bërë me dije se në këtë takim do të jenë prezent edhe rektorët e universiteteve publike të të dy vendeve.
Bytyqi u ka thënë rektorëve se ndër temat kryesore të takimit do të jetë mobiliteti i profesorëve për programe të rëndësishme, por që janë në rrezik të mbyllen në mungesë të kuadrove.
Më tutje, ministri Bytyqi i ka njoftuar ata për disa pika të rëndësishme të bashkëpunimit në mes të universiteteve publike të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë me interes për të dyja vendet, të cilat sipas tij kanë dal nga takimi me ministren e Arsimit të Shqipërisë që është mbajtur muajin e kaluar.
“Temë tjetër e rëndësishme e takimit të 10 Qershorit do të jetë bashkëpunimi më i ngushtë mes instituteve të historisë, me qëllim të harmonizimit dhe funksionalizimit të të dy instituteve dhe krijimi i një trupe të përbashkët për njohjen e profesioneve të rregulluara mes dy vendeve. Gjithashtu, në ketë takim diskutuam edhe për organizimin e një kampusi veror tradicional për studentët e të gjitha viseve shqiptare”, ka thënë ministri Bytyqi.
/Epoka e re/