Rektori Dema deklarohet rreth dorëheqjes së prorektorit Sahiti
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka lëshuar një deklaratë për media, me sqarim të rektorit Marjan Dema, lidhur me dorëheqjen e parevokueshme të prorektorit Naser Sahiti.
“Ju njoftoj që sot me datë 3 shtator 2018, prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, prof. dr. Naser Sahiti ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë. Arsyet e dorëheqjes së prorektorit Sahiti lidhen me mospajtimet tona rreth përgjegjësive që lidhen me fushën në të cilën ka qenë i angazhuar ai”, ka thënë rektori Dema, njofton zyra për media e UP-së.
“Përkundër dorëheqjes së tij, prorektori Sahiti ka ofruar bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në çështjet në të cilat ka punuar deri me tani. Me këtë rast, falënderoj prorektorin Sahiti për angazhimin e tij dhe i uroj sukses në karrierën e mëtutjeshme akademike”, ka shtuar më tej ai.