Rektori Dema ngushëllon familjen e studentit Leutrim Gjini
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së studentit të Mjekësisë, Leutrim Gjini, i cili vdiq teksa ishte duke pritur që t’i nënshtrohej një provimi.
Është raportuar se i riu pasi nuk ishte ndjerë mirë, është dërguar në QKUK, ku edhe ka ndërruar jetë.
Telegrami i ngushëllimit:
E nderuara familje Gjini,
Ndonëse lajmet e vdekjes janë çdo herë të ftohta, si vetë ajo, humbja e studentit të Fakultetit të Mjekësisë, Leutrim Gjinit, për ne ishte një humbje mbi humbjet e tjera, humbje që solli dëshpërim dhe dhimbje të pashoq.
Të dashur familjarë, shokë, kolegë dhe profesorë të Leutrimit, më lejoni që në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj.
Sipas profesorëve të tij, Leutrimi ishte njëri ndër studentët e dalluar të Fakultetit të Mjekësisë, prej këtej, edhe njëri ndër më të mirët në Universitetin tonë. Leutrimi i zellshëm dhe inteligjent do të jetojë gjatë në kujtesën e profesorëve dhe të miqve të tij, teksa mungesa e tij do të vazhdojë të jetë prezentë tek komuniteti universitar.
Në emër të organeve drejtuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta!
I paharruar qoftë kujtimi për të!
Me respekt,
Prof. dr. Marjan Dema – rektor