
Rektori Hajrullahu mban ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës
Në një ligjëratë dhe më pas bashkëbisedim në Akademinë Diplomatike të Vjenës, rektori Arben Hajrullahu foli për Universitetin e Prishtinës, të kaluarën, të tashmen dhe rrugën e tij përpara.
Pasi dhjetë vjet të jetës dhe ngritjes akademike, rektori Hajrullahu i kaloi pikërisht në Austri, Grac e Vjenë, ai e falënderoi që në hyrje të ligjëratës shtetin austriak për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë dhe i jep arsimit në Kosovë.
Duke folur për sfidat kryesore të një universiteti në Ballkanin Perëndimor, me shembull UP-në dhe procesin e transformimit të tij në një institucion të shekullit XXI, të kohës së inteligjencës artificiale dhe ndryshimeve të shpejta e të paparashikueshme teknologjike, rektori Hajrullahu tha se koha në të cilën jetojmë ofron mundësi të mëdha, por edhe rreziqe.
Ai tregoi se si rriten sfidat dhe mundësitë e një universiteti të një vendi të vogël në kohën e dijes dhe konkurrencës globale.
Në këtë frymë, si pjesë e mundësive, u paraqit edhe diaspora akademike – kosovarë që janë formësuar në universitete me nam si në Evropë ashtu edhe në ShBA e përtej.
Rektori, duke folur për mundësitë, vuri theksin te rëndësia e transformimit digjital të universiteteve dhe te planet dhe punët që po realizohen në Universitetin e Prishtinës edhe në këtë aspekt.
Për më shumë, rektori Hajrullahu ritheksoi rëndësinë e vullnetit për ndryshime domethënëse si dhe avancimin e mendimit kritik në shërbim të interesit publik.
Rektori Hajrullahu foli edhe për të kaluarën e Universitetit të Prishtinës dhe ndihmën e madhe që ky institucion u ka dhënë proceseve që çuan në suksesin e përgjithshëm shoqëror dhe vetë shtetësinë e Kosovës, por shtoi po ashtu edhe se duhet të ketë shkëputje edhe më të madhe nga zhvillimet ditore politike, në mënyrë që UP-ja t’i kthehet edhe më fuqishëm shkencës dhe dijes.
Transparenca, llogaridhënia, ligjshmëria dhe meritokracia u paraqitën nga rektori Hajrullahu si parime udhëheqëse për një qeverisje të mirë dhe të suksesshme edhe të një institucioni të arsimit të lartë siç është Universiteti i Prishtinës.