Rektori i universitetit ‘Ukshin Hoti’ merr pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare në Ulqin
Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Strategjia për zhvillim ekonomik lokal të komunave në vendet e Ballkanit me theks të veçantë pikëpamjet, sidat dhe mundësitë e zhvillimit”, e organizuar nga Instituti për Kërkime Shkencore dhe Zhvillim në Ulqin, të premten i ka bashkuar shkencëtarët, akademikët dhe ekspertët e fushës së zhvillimit ekonomik, nga shumë vende.
Në këtë konferencë nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren po marrin pjesë prof. asoc. dr. Ismet Temaj u.d. rektor, prof. asoc. dr. Halil Kukaj Dekan në Fakultetin e Ekonomisë, si dhe prof. ass. dr. Artan Nimani profesor i ekonomisë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të UPZ-së.
Me këtë rast në hapje të punimeve të konferencës një fjalë rasti në emër të UPZ-së e mbajti u.d. rektori Temaj.
Ai theksoi se është nder për përfaqësuesit e UPZ-së që të marrin pjesë në këtë ngjarje e cila do të shërbejë për qëllim të zgjerimit të njohurive dhe për shkëmbimin e mendimeve për rolin e shkencës në këtë fushë.
Temat bosht të konferencës, janë: Investimet dhe promovimi i investimeve në sferën e turizmit dhe hotelerisë; Efekti i investimeve të huaja në turizmin vendor; Kuadri ligjor për rregullimin e investimeve të huaja në sferën e zhvillimit ekonomik dhe turistik lokal; Zhvillimi dhe rregullimi i turizmit ndërkufitar; Roli i infrastrukturës dhe bujqësisë në sferën e turizmit dhe hotelerisë; Rregullimi i bashkëpunimit institucional nëpërmjet organizatave turistike në sferën e turizmit; Taksat dhe tatimet lokale në funksion të zhvillimit ekonomik lokal; Novacionet dhe it në funksion të zhvillimit ekonomik lokal; Problematika e profilizimit të burimeve njerëzore në funksion të zhvillimit të ekonomisë dhe turizmit lokal; Administrata shtetërore dhe zhvillimi ekonomik lokal.
/Epoka e re/