Rektori i UP-së: Adem Demaçi ishte simboli më unik i rezistencës kombëtare
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka shprehur ngushëllimet për falimjen Demaçi pas vdekjes së veprimtarit të shquar Adem Demaçi.
Dema e vlerësoi Demaçin simbol unik të rezistencës kombëtare vepra e të cilit do të kujtohet për shekuj me radhë.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, udhërrëfyesit tonë, Adem Demaçit.
Pa dyshim, vepra e Bacës Adem do të lë gjurmë të përjetshme në shoqërinë shqiptare, ndërkaq emri i tij do të jetë i paharrueshëm dhe çdo herë kuptimplotë, teksa me shekuj do të rikujtohet vepra e tij letrare dhe politike edhe nga studentët dhe stafi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ai ishte simboli më unik i rezistencës kombëtare, tek i cili u mishërua atdhedashuria dhe guximi më shumë se tek çdo kush tjetër. Në këto ditë aq të hidhura, me mendje dhe zemër qëndrojmë pranë jush familjarë dhe pranë miqve të tij.
Në emër të studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta!
Pushoftë në paqe shpirti i tij!”