Rektori i UP-së nderon me mirënjohje profesorin Rainer Waldhardt
Rektori i Universitet të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka nderuar prof. dr. Rainer Waldhardt për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Giessenit dhe Universitetit të Prishtinës.
Certifikata e mirënjohjes i ndërlidh përpjekjet e tij të pakrahasueshme për fuqizimin e rrjedhës së dijes dhe mbështetjen e profesorëve, administratës dhe studentëve në rrugën e tyre drejt suksesit profesional.
Përveç bashkëpunimit në projekte kërkimore dhe ligjërimit në UP, profesori Waldhardt ka mentoruar në nivel studimi të doktoratës dhe master një numër të konsiderueshëm të kandidatëve të diplomuar në UP, disa prej të cilëve tashmë janë anëtarë të stafit akademik.
Rektori Qerimi, tha se është nder për universitetin që të ndajë mirënjohje për punën dhe kontributin e profesor Waldhardt, dhe theksoi gatishmërinë e UP-së, për të zgjeruar horizontin ekzistues të bashkëpunimit.
Në anën tjetër, profesor Waldhardt, u shpreh thellësisht mirënjohës dhe falënderues për vlerësimin dhe përvojën e tij në Universitetin e Prishtinës.