Rektori i UP-së: Vepra e Ejup Statovcit na obligon të shënojmë progres si universitet
Me rastin e 22-vjetorit të protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës, rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka bërë homazhe tek ish-rektorati i këtij universiteti në Velani në nderim të ish-rektorit Ejup Statovci, të cilin e ka vlerësuar si rektor historik.
Dema derisa ka uruar të gjithë studentët për vitin e ri akademik, ka thënë se rrugën studentore të para 22 viteve duhet ta vazhdojnë edhe studentët e sotëm, duke bërë ndryshime pozitive për vendin përmes dijës dhe njohjes.
Ai ka thënë se vepra e ish-rektorit Ejup Statovci e obligon Universitetin e Prishtinës të bëjë progres dhe të avancohet në cilësi, hulumtime e fusha tjera.
Ndërsa e bija e ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, Anila, ka thënë se rinia është forca lëvizëse, e cila i sjell ndryshimet kur ajo përkrahet prej përvojës dhe diturisë.
Statovci ka thënë ndihet e privilegjuar që babai i saj u ka dhënë krah studentëve për të arritur transformimin kah ndryshimi pozitiv i Kosovës.
Më 1 tetor të vitit 1997, ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat, të cilat u organizuan për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në fillim të viteve të 90-ta.