Rektori Qerimi: Kisha rezerva t’i hyja garës

22 nëntor 2022 | 19:30

Qerim Qerimi, Rektor i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka thënë se shpreson që brenda mandatit që ka marrë në gjysmë t’i realizojë 10 pikat e programit të prezantuar para senatit.

Ai në intervistë Klan Kosova ka theksuar se gjithçka do të nisë me rishikimin dhe ndryshimin e plotësimin e statutit të UP-së.

Qerimi në këtë intervistë ka treguar se ka qenë skeptik paska sa i përket hyrjes në garën për rektor, derisa është pyetur nëse synon mandatin e plotë.

“E ardhmja ka shkallë të paparashikueshme. Mund ta imagjinoni që kam pasë rezerva për të hyrë edhe për këtë pjesë por mund të them që kjo ishte një lehtësi, fakti i periudhës kohore, që vlerësoj që është e mjaftueshëm për t’i dhënë përgjatë linjave të programit që kam paraqitur”, është shprehur Qerimi.

“Nuk mund të them që kjo është e bëshme brenda dy viteve. Objektivat janë të ndryshueshme dhe ka disa hapa që mund të bëhen shpejt. Nuk është se kam një synim ose preferencë për diçka të tillë [mandatin e ri]. Do të isha shumë i gëzuar nëse e përfundojë këtë pjesë dhe nëse sjell rezultate të dëshirueshme”.

Qerimi ndër të tjera ka thënë se ende nuk i ka emrat për prorektorë.

Kush është Qerim Qerimi:

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të mbajtur më 21 nëntor 2022, rektor është zgjedhur prof. dr. Qerim Qerimi, mësimdhënës në Fakultetin Juridik. Ai sot ka nisur detyrën e të parit të Universitetit të Prishtinës.

Prof. dr. Qerim Qerimi i është bashkuar Fakultetit Juridik të UP-së, fillimisht si asistent i ri, në vitin 2006 dhe aktualisht mban titullin e profesorit të rregullt. Gjatë karrierës së tij, përveç mësimdhënies, ai ka shërbyer edhe në pozita menaxheriale në kuadër të universitetit, si prodekan për çështje akademike në Fakultetin Juridik dhe u.d. prorektor për mësim dhe çështje të studentëve i UP-së. Për biografinë e tij, klikoni vegzën në vijim: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,11.

Në planin e tij për UP-në, prof. dr. Qerim Qerimi ka propozuar dhjetë fusha të përqendrimit parësor, duke nisur fillimisht me ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të UP-së dhe akteve të tjera zbatuese, për të tejkaluar sfidat e ndryshme, me të cilat UP-ja po përballet gjatë ndryshimit të kohërave. Po ashtu, në planin e tij janë edhe zgjerimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të stafit akademik dhe administrativ, zgjerimi i përpjekjeve dhe investimeve shkencore, zgjerimi i rolit ndërkombëtar të UP-së, konsolidimi dhe forcimi i rregullave dhe mekanizmave në lidhje me integritetin akademik, sjelljen personale dhe profesionale, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me diskriminimin dhe ngacmimin, sigurimin e përvojës dhe lehtësirave të tjera për studentë, mbështetjen e kapaciteteve shkencore, e të tjera fusha veprimi.

Qerim Qerimi do të jetë në krye të UP-së deri më 30 shtator 2024.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Botërori 2022 vazhdon këtë të martë me ndeshjen e mbërmjes…