‘Remi’ dyshon në vërtetësinë e një dokumenti që iu paraqit në Speciale me nënshkrimin e tij
Ish-komandanti i UÇK-së në Llap, Rrustem Mustafa – “Remi” është duke vazhduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë dëshmisë, atij i është paraqitur një dokument me nënshkrimin e tij.
E për vërtetësinë e dokumentit të prezantuar ai ka hedhur dyshime.
Mustafës nuk i është dukur as forma e as përmbajtja si e dokumenteve që i kanë përpiluara ata gjatë kohës së luftës.
Prokurorja: A e njihini këtë nënshkrim?
Mustafa: Nënshkrimi duhet të jetë i imi, por unë befasohem me këtë dokument. Nuk është formë e dokumenteve tona që unë i kam nënshkruar. Forma dhe përmbajtja po më duken interesant.
Prokurorja: Z. Mustafa dua që ta lexosh paragrafin e parë, emrin datën dhe kohën që personi thuhet se është arrestuar.
Mustafa: Emrin nëse më lejoni do ta kursej sepse nuk dëshirojë që të ndihet familja e tij keq, apo ai personalisht. I lindur më 12.06.1965 , në Llapashticë të Poshtme ku edhe jeton, mbajtje në lokalet prej 04.01.1999 për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të vjedhjes.