Remi flet për arrestimin e Enver Sekiraqës nga UÇK: Ishte problematik
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rrustem Mustafa i njohur si “Remi”, ka komentuar ndalimin gjatë luftës së Enver Sekiraqës, tani i burgiosur si i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.
Mustafa për Pressing të T7, ka thënë se edhe para luftës, Sekiraqa ka shkaktuar probleme në lagje e qytetin e tij.
”Ka qenë person problematik, një qasje e mediave ka qenë interesant për me zmardhu. Beso që ne nuk jemi marrë në atë punë. Shumë ngjarje për atë i kemi msu pas lufte. Ai ka qenë njeri i trajtun për problemet në lagjet dhe qytetet e tij. Ka pas qasje problematike, për njeri që e ka prishur ambientin është marrë dhe është liruar“, ka thënë ai.
Me tutje, ai ka folur për ndalimin e Fadil Syleviqit, ish-polic i Kosovës dhe Sekiraqës.
”Qasja ka qenë shumë transparente, nuk ka pasur asnjë gjë që nuk e kanë ditur një mijë njerëz. Qasja për ndalimin e Syleviqin, por edhe për Enverin nuk ka qenë asgjë sekrete“, ka thënë ai.
Për, ish-policin Syleviq, ish-komandanti i UÇK-së thotë se gjatë luftës e kanë gjetur me distinktiv të Serbisë.
”Është zënë me distinktiv të armikut, me armë personale, jo vetëm revole por edhe më të rëndë. Dhe e kemi trajtuar deri kohën kur i kemi liruar gjtihë, derisa i kemi liruar të gjithë nuk kemi guxuar ta lirojmë personin në fjalë, ngase ka pasur njohuri të shumta për UÇK-së dhe potenciali i tij për të na dëmtuar ka qenë i madh”, ka thënë ai.
Mustafa tha se pas luftës ka qenë kundër që Syleviqi të merrte funksion në shtetin e Kosovës, teksa ka treguar një informacion interesant.
”Unë asnjëherë nuk jam pajtuar që ai të jetë në organet e sigurisë, por ai ka qenë. Ka qenë ndër njerëzit e rëndësishëm, madje viteve të fundit ka pasur edhe fjalë që ka qenë i propozuar edhe për ministër i Punëve të Brendshme”, ka thënë ai.