“Remi” prapë sot në gjykatë, vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Sot në Hagë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Edhe sot në Gjykatën Speciale vazhdon dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit.
Dje në Gjykatën Speciale ka dhënë dëshminë Rrustem Mustafa. Prokurorja e ZPS-së, Clare Lawson, ka pyetur dëshmitarin Mustafa për funksionimin e Zonës së Llapit. Ajo ka shfrytëzuar librat që janë botuar më parë në Kosovë për t’i bërë pyetje Mustafës. Po ashtu është pyetur edhe për kodet që janë përdorur në kohën e luftës.
Prokurorja Lawson ka pyetur edhe për numrat e telefonit që janë përdorur në kohën e luftës, për të cilin Mustafa tha se nuk iu kujtohet numri i telefonit që ka përdorur ai.
Mustafa tha se nuk ka qenë komunikimi i mirë përmes telefonit, pasi që telefonat janë kontrolluar nga Serbia, por për nevoja kanë përdorur telefona satelitor. Para gjykatës, ai ka thënë se kanë përdorur radiolidhje, telefona, por kanë pasur direkt takime sy me sy, raporton RTKlive. Për radiolidhjet dhe telefonat që i kanë përdorur, Rrustem Mustafa, tha se janë sjellë nga shtetet perëndimore dhe kanë qenë disa. Ai bëri me dije se janë sjellë nga mërgimtarët.
Lawson ka kërkuar të shtohet në listën e provave një dokument që dëshiron ta përdorë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit.“Është çështje anashkalimi sepse kemi pasur shume materiale, është bërë e ditur nga viti 2021, dokument që dëshmitari e ka identifikuar më herët, është i shkurtë dhe lidhet me çështjet që janë njoftuar dhe nuk cenon palët”, tha ajo kur u pyet pse nuk e kanë shtuar këtë dokument deri më tani.
Të pranishëm dje në sallën e gjyqit kanë qenë të gjithë të akuzuarit, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi.