Remzi Ejupi largohet pas 20 vjetësh nga FC Prishtina
Ka përfunduar Kuvendi i Jashtëzakonshëm te klubi i Prishtinës, ku Rrahman Haradini ka blerë pjesën më të madhe të aksioneve nga Remzi Ejupin që është larguar nga pozita e presidentit.
Pas një mbledhje disa orëshe, Ejupi dha dorëheqje nga pozita e presidentit duke shitur aksionet te Haradini, i cili do ta drejtojë klubin bardhëkaltër.
Për media menjëherë pas takimit, Ejupi tregoi edhe arsyet pse vendosi të largohet nga pozita e presidentit.
“20 vjet arsyeja është që harxhohesh. 20 vjet kontribut nuk janë pak. Ajo që ndodh në futbollin e Kosovës dhe gjendja që është, mendoj se nuk ia vlen më tutje për arsye sepse s’është e lehtë. Klubet kanë vështirësi jashtëzakonisht të mëdha. Ne kemi menduar se pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA do të kemi më lehtë, por po shihet se ka vetëm vështirësi prandaj kam vendosur që për një kohë të largohem krejt”.
“A luajtën rol tifozët? Jo s’ka të bëjë me protestat e tifo-grupit Plisat. Është normale që tifozët duan rezultate dhe rezultat nuk kanë munguar në këto 20 vite”.
Në fund ai konfirmoi që Haradini do ta drejtojë tani klubin e Prishtinës.
“Kemi bërë ndryshime dhe shitjen e aksioneve. Tani aksionari kryesor është zotëri Haradini, i cili do ta drejtojë Prishtinën. Unë pas 20 viteve mendoj se kam dhënë mjaftë, kam vendosur që tash e sa kohë të bëjë një lëvizje dhe të bëjë një pushim dhe që të shoh sa mund të kontribuojë në të ardhmen në futbollin e Kosovës”.
Ndërkohë, klubi nga kryeqyteti ende s’ka dalë me ndonjë komunikatë zyrtare.
Në Kuvendin e sotëm, Remzi Ejupi u shpall President Nderi i FC Prishtinës.