Rëndësia dhe jehona e demonstratave të pranverës së madhe 1981
SHKRUAN: ISMET RASHITI
Demonstratat demokratike të vitit 1981 bënë kthesë rrënjësore në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare. Klasa politike e Kosovës së asaj kohe, ishte futur në shërbim të politikës unitariste serbe. Rëndësia dhe jehona e demonstratave për Republikën e Kosovës ishte e madhe, brenda dhe jashtë shtetit ish jugosllav. Demonstrata dhe protesta kudo në mërgatën shqiptare. Shtypi botëror në mbështetje të kërkesave studentore!
Demonstratat paqësore të mars-prillit të vitit historik 1981, të cilat regjimi i Beogradit i shtypi me gjuhën e forcës policore, kanë bërë jehonë të madhe brenda dhe jashtë kufijve të ish Jugosllavisë. Fillimi i demonstratave studentore më 11 mars 1981 dhe masovizimi i tyre më 1 dhe 2 prill 1981, duke marrë karakter popullor, ishte hapi i parë si të thuash për “zbulimin” e padrejtësive të mëdha historike që i ishin bërë popullit shqiptar dhe prapameturisë ekonomike të Kosovës karshi republikave tjera ish-jugosllave. Me një fjalë demonstratat e vitit 1981para opinionit ndërkombëtar shfaqën një realiteti tjetër nga ai me të cilin krenohej ish-Jugosllavia si “një shtet ku të gjithë popujt që jetojnë brenda kufijve të saj gëzojnë të drejta të barabarta kombëtare e njerëzore”. Për të qenë ironia edhe më e madhe, deri me fillimin e ngjarjeve të pranverës së vitit 1981, udhëheqësit komunistë jugosllav, përpiqeshin t’u jepnin mësim bashkësisë ndërkombëtare se gjoja Jugosllavia e ka zgjidhur drejt çështjen kombëtare dhe se për këtë meriton të merret model nga shumë vende tjera.
E gjithë kjo demagogji bëhej pikërisht në kohën kur në burgjet jugosllave mbaheshin të burgosur qindra djem e vajza shqiptarë vetëm pse kishin guxuar të kërkonin hapur shkollim në gjuhën amtare, përdorimin e Flamurit Kombëtar, hapjen e Universitetit të Prishtinës dhe njohjen e statusit të Republikës së Kosovës ashtu siç ishin edhe gjashtë republikat tjera në kuadër të Federatës së ish-Jugosllavisë. Shqiptarët, pra, mbaheshin në burgje, vriteshin e akuzoheshin për fjalën e lirë, për kërkesa paqësore që kishin të bënin për një mirëqenie më të mirë dhe që shprehnin pakënaqësinë e tyre kundër diskriminimit kombëtar, ekonomik, arsimor e kulturor karshi popujve tjerë.
Rëndësia më e madhe e ngjarjeve të vitit 1981, në planin ndërkombëtar, qëndronte në faktin se ato ishin të parat revolta të cilat sikur e “zbuluan” Kosovën dhe shprehën habinë para botës së qytetëruar e demokratike se si është e mundur që Jugosllavia e Titos e proklamuar aq shumë për barazi ta urdhëroi policinë dhe ushtrinë për vrasjen demonstruesve paqësor të cilët nuk bënë asnjë krim, përveçse kërkuan të drejtat e tyre në mënyrën më normale e demokratike.
Për hir të realitetit, duhet të themi se pas këtyre ngjarjeve atë botë, klasa politike jugosllave nuk mund të pajtohej assesi me realitetin e ri që nxorën në shesh demonstratat dhe protestat gjithëpopullore në Kosovë. Në radhë të parë ishin udhëheqësit e republikave tjera joserbe të cilët edhe pse këto demonstrata, u vlerësuan nga opinioni ndërkombëtar si paralajmërimi i parë për rrezikun e pashmangshëm që po u kanosej popujve të Jugosllavisë nga hegjemonistët dhe unitaristët serbomëdhenj, ata u futën në këtë lojë të rrezikshme, duke i vlerësuar këto demonstrata si “kundërrevolucionare”, “nacionaliste”, “separatiste” etj. Për më tepër udhëheqësit më të lartë të këtyre republikave dhe autonomistët shqiptarë të Kosovës, duke mos e kuptuar, apo duke menduar se autonomia është e mjaftueshme për shqiptarët, ishin thellësisht të bindur në “drejtësinë” e politikës titiste. Kështu, pra, ishin futur me shpirt e zemër në shërbim të politikës shoviniste serbomadhe, e cila dal nga dal po dilte hapur në skenë. Në këtë mënyrë udhëheqësit e republikave tjera joserbe në federatën jugosllave dhe sidomos udhëheqësit autonomistë shqiptarë të Kosovës, duke i shpallur luftë të hapur kërkesës Kosova Republikë si një kërkesë sipas tyre “kundërevolucionare”, në fakt po forconin objektivat e klanit unitarist serb në dëm të popujve të tyre.
Ngjarjet e vitit 1981, përpos rëndësisë historike në planin kombëtar, kanë edhe rëndësinë tjetër tepër të madhe në planin ndërkombëtar. Sado që shteti jugosllav aso kohe përpiqej t’i minimizonte këto ngjarje përmes intensifikimit të diplomacisë dhe mjeteve të informacionit publik, assesi nuk po ia arrinte qëllimit. E vërteta për Kosovën dhe shqiptarët kishte filluar të kuptohet drejtë nga mbarë opinioni përparimtar, veçmas nga ai evropian dhe amerikan. Përdorimi i dhunës dhe gjakderdhja e shkaktuar nga forcat policore federative zbuluan fytyrën kriminale të udhëheqjes federative që dominohej nga unitaristët serbë.
Bota demokratike dhe shtypi i pavarur evroperendimor këto ngjarje nuk po i shihnin me syzet e Beogradit. Menjëherë pas gjakderdhjes ata filluan të reagojnë përmes komenteve dhe artikujve të shumtë analitik, duke informuar drejtë rreth të vërtetës që kishte ndodhur në Kosovë.
Kështu pra gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Algemaine”, vetëm gjashtë ditë pas demonstratave, më 9 prill 1981, shkruante: “Kur u vjen uji deri në fyt diktaturave fashiste të Amerikës Latine, ashtu si edhe tani vetëqeverisjes jugosllave, reagojnë siç duket në mënyrë bukur të ngjashme”. Duke folur për kërkesat e shqiptarëve kjo gazetë, shkruan se “në demonstrata doli kërkesa Kosova Republikë! Demonstruesit kërkuan që statusi i autonomisë së Kosovës të jetë i njëjti me statusin e republikave tjera që përbëjnë federatën jugosllave”. Udhëheqësit jugosllav po e paraqesin gjendjen sikur demonstratat e popullit shqiptar jenë drejtuar kundër popujve jugosllav dhe pakicës serbe në Kosovë, gjë që nuk është e vërtetë. E njëjta gazetë në një artikull tjetër të datës 27 prill 1981, i mohon kështu këto akuza të pabaza: “Të gjithë vrojtuesit vërtetojnë se demonstratat e shqiptarëve, përkundër karakterit nacional, nuk janë të drejtuara kundër pakicës serbe”.
Gazeta suedeze “Zundsvalstindling” në një artikull me titull: “Ngjarjet në Kosovë shqetësojnë shumë udhëheqësit e Beogradit”, botuar menjëherë pas demonstratave të 1 dhe 2 prillit 1981, shkruan: Demonstruesit kritikonin shtypjen që u bëhet shqiptarëve në Jugosllavi. Ata kërkonin liri si dhe krahina e Kosovës të shpallet Republikë. Për këtë qëllim autoritetet e Beogradit, i quajtën demonstruesit “nacionalistë”, “separatistë” dhe “kundërrevolucionarë”. Nga ana tjetër gazeta amerikane “Nju York Times” e datës 27 prill 1981, veç tjerash ngjarjet e Kosovës i vlerësonte kështu: “Shteti federativ jugosllav tashmë i ka gjashtë republika. Çfarë ndryshimi do të sillte edhe një republikë më shumë? Pse Kosova të mos bëhet republikë, kur 85 për qind të banorëve të saj janë banorë etnik”?
Nga ana tjetër gazeta greke “Tovina” bën këtë koment mbi ngjarjet në Kosovë: “Nuk duhet ta zvogëlojmë rëndësinë e ngjarjeve që po ndodhin në rajonin autonom të Kosovës, në kufi me Shqipërinë, edhe nëse kriza mbytet. Fakt është se autoritetet jugosllave nuk po i kursejnë mjetet e tyre mbytëse. Këto telashe përbëjnë një paralajmërim serioz…”, shprehet kjo gazetë menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Ndërkaq në një koment të gjatë me titull “Kosova e varfër dhe e diskriminuar”, gazetari spanjoll Torro Riesko, në gazetën spanjolle “Avoi” shkruante: “Shqiptarët e Kosovës konsiderohen njerëz të përbuzur në Jugosllavi. Kosova është krahina më e prapambetur e Jugosllavisë dhe e gjithë Evropës. Ekziston një pabarazi e dukshme në mes Kosovës me minerale dhe republikave tjera. Që nga mbarimi i luftës represialet atje kanë qenë të egra…”
Janë këto reagimet e orëve të para pas demonstratave të fuqishme të vitit 1981.
Shtypi evroperendimor në vitin 1981, çështjen e Kosovës e ka paraqitur si problem serioz që kërkon zgjidhje adekuate. Në të kundërtën kjo plagë e hapur do të paraqes rrezik të përhershëm për shpërthimin e krizave të përgjakshme në Ballkan dhe më gjerë.
Ngjarjet që rrodhën pastaj dhe sidomos format që kishin zgjedhur unitaristët serbë për ta “mbytur” me forcë të drejtën e shqiptarëve për të qenë të barabartë me popujt tjerë të ish Jugosllavisë, gjithsesi paraqisnin rrezik për paqen dhe stabilitetin politik në ish Jugosllavi.
Ato ishin një paralajmërim i madh për zhvillimet e mëtutjeshme dhe synimet e politikës hegjemoniste serbe për krijimin e Serbisë së madhe dhe dominimin e saj mbi popujt tjerë joserb.
Këto përpjekje antishqiptare morën fund pas luftës heroike të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s gjatë viteve 1998-1999. Më 17 shkurt të vitit 2008, falë përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran!