Rëndësia e motivimit
Ishte hera e parë që po jepte mësim në atë klasë dhe gjatë orës së mësimit, i drejtoi një pyetje njërit prej nxënësve. E gjitha klasa shpërtheu në të qeshura.
U çudit nga ai reagim, pasi nuk kishte asnjë arsye për të qeshur. Falë vështrimeve të nxënësve, kuptoi se kishte pyetur nxënësin më të dobët në klasë.
Pasi nxënësit dolën, mësuesja i kërkoi nxënësit qe vlerësohej i dobët që të qëndrojë me të. Ajo i shkroi një poezi në një letër dhe duke ia zgjatur i tha: ”Dua që këto vargje ti mësosh njëlloj siç ke mësuar emrin tënd dhe të mos i tregosh askujt për këtë! Mirë?” Nxënësi pohoi me kokë, mori letrën dhe u largua i habitur.
Të nesërmen, mësuesja e re shkroi vargjet në dërrasë dhe pasi i analizoi, i fshiu. Pastaj, i pyeti nxënësit: ”Kush e mësoi poezinë përmendësh nga dërrasa e zezë të ngrejë dorën!”
Askush nuk e ngriti dorën, përveç nxënësit që konsiderohej i dobët. Ai e ngriti dorën gjithë frikë e hezitim. Mësuesja, duke i buzëqeshur i tha: ”Po, na e recito!”
Me fjalë që mezi i dilnin nga goja, ai e recitoi të gjithë poezinë që e kishte mësuar paraprakisht. Mësuesja e vlerësoi dhe i tha fjalë motivuese para të gjithë nxënësve, madje i kërkoi klasës që ta duartrokasin.
Nxënësit të shushatur nga ajo që kishte ndodhur, e duartrokitën dhe e përgëzuan.
E njëjta gjë u përsërit disa herë gjatë javës, por me forma të ndryshme, e sigurisht, u përsëritën dhe fjalët e mira, konsideratat, vlerësimet por edhe duartrokitjet e nxënësve të klasës.
U afrua data e provimeve përfundimtare, lexoi, përsëriti dhe i mori të gjitha lëndët.
Hyri në shkollë të mesme gjithë zell dhe vullnet. Në çdo vit i përmirësonte rezultatet.
Arriti mesataren për të ndjekur studimet universitare.
E përfundoi fakultetin me rezultate të larta.
Studioi master dhe mbrojti doktoratën.
Është historia e një studenti, e rrëfyer nga ai vetë në gazetën e universitetit.
Njerëzit janë dy llojesh:
Ose çelës i të mirës dhe kyç i të keqes, duke nxitur, motivuar, zgjatur dorën, mbushur me shpresë, duke të dhënë optimizëm …
Ose kyç i të mirës dhe çelës i të keqes, demoralizues, pengues, vënës shkopinjsh nën rrota, tallës, ironizues, fajësues …
Nxënësi i mësipërm ishte viktimë e llojit të dytë, por në një moment të jetës, u gjend përballë një njeriu nga lloji i parë i cili i ndryshoi jetën.
(Familja e Shëndeti. Postuar nga Abetare Rexha, mësuese në shkollën fillore e mesme e ulët “Hasan Prishtina”, Prishtinë).