
Rëndësia e një plani të zhvillimit personal dhe transparenca
Shkruan: MBA. Fahri Asllani – Drejtor i Departamentit të Burimeve Njerëzore
Rëndësia e një plani të zhvillimit personal dhe transparenca si elemente kyçe për zhvillimin personal dhe profesional të BNJ-së.
Kohët e fundit, si asnjëherë më shumë, qarkullimi i stafit është kthyer në një sfidë të madhe për shumë kompani që operojnë si në nivelin vendi, rajonal apo ndërkombëtar. Mbajtja e stafit duhet të jetë prioritet kryesor për punëdhënësit, pasi që dorëheqjet/largimet e punëtorëve të kombinuara me tensionet aktuale ekonomike kanë vërtetuar se punëdhënësit duhet urgjentisht të ri-mendojnë strategjitë e tyre në mënyrë që të mbajnë stafin ekzistues dhe të tërheqin talent të rinj. Për të zhvilluar një përvojë pozitive të punëtorëve, ju duhet të demonstroni një investim në rritjen dhe zhvillimin e punëtorëve të ndërtuar mbi transparencën, pronësinë mbi procesin dhe një lidhje me qëllimin. Mundësitë e brendshme të rritjes në karrierë mund të ndihmojnë në uljen e largimit të punëtorëve dhe mbajtjes së tyre brenda organizatës.
Punëtorët çdo here e më tepër kërkojnë kushte më të mira pune, si paga më të mira dhe fleksibilitet në punë, dhe pandemia u ka treguar gjithashtu punëdhënësve pa dallim se punëtorët e tyre duan një jetë edhe jashtë punës. Pra, çfarë mund të bëjnë punëdhënësit për të ndihmuar punëtorët që kërkojnë karrierë më të përmbushure?
Një plan progresi në karrierë
Një plan progresi në karrierë është një strategji ose thënë më mirë udhërrëfyes i dokumentuar që tregon rrugën se si punëtorët/et do të bëjë progres në kompani për të përmbushur qëllimet e tyre të karrierës në të ardhmen. Duhet të përcaktojë qartë aftësitë, kompetencat, përvojën dhe aftësitë tjera që punëtori/ja mund të pritet të demonstrojë në mënyrë që të bëjë progres tutje në karrierë. Planet e progresit në karrierë plotësohen me një rrugë mësimi, i cili identifikon se çfarë trajnimi dhe edukimi duhet të ndjekë punëtori për të arritur secilin nga pikat kryesore të identifikuara në planin e tyre të progresit në karrierë që bëhet me udhëheqësin/menaxherin e drejtpërdrejt të punëtorit/es.
Transparenca e karrierës
Të qenit transparent në lidhje me mundësitë e rritjes në karrierë mund të jetë tashmë një pjesë e propozimit të vlerës së punëtorit. Sigurimi i përshkrimeve përkatëse, të detajuara dhe të sakta të detyrave dhe përgjegjësive të punës, grupimi/koeficientet e pagave dhe të qenit transparent në procesin e rekrutimit, të gjitha do të ndihmojnë në kultivimin e një kulture organizative të transparencës. Kjo përshpejton procesin e rekrutimit dhe tërheq kandidatët idealë të cilët kanë aftësitë që u nevojiten për pozicionet që ofrohen , si dhe se ku mund të jenë në gjendje të shkojnë në kompani në të ardhmen. Të qenit i hapur në lidhje me këtë ndërton besimin që në fillim të procesit të rekrutimit dhe punësimit dhe lartëson emrin tuaj si kompani. Kur një organizatë është më transparente me punëtorët e saj, ata priren të jenë më të suksesshëm në disa fusha si p.sh.; rritë natyrshëm angazhimin e punëtorëve, kulturën organizative më të fortë të kompanisë dhe transparenca nxit një lloj rehatie që u lejon punëtorëve të komunikojnë dhe shprehin lirshëm mendimet e tyre. Një mjedis pune transparent gjithashtu i ndihmon punëmarrësit të ndihen të vlerësuar dhe inkurajon kreativitetin/inovacionin.
Më poshtë janë disa nga hapat e thjeshtë për të krijuar një plan progresi në karrierë:
1. Përcaktoni qëllimet e karrierës së punëtorit/es tuaj
Flisni me secilin nga punëtorët tuaj. Pyetini ata për aspiratat dhe qëllimet e tyre dhe dëgjoni se çfarë kanë për të ju thënë. Jeni të vetëdijshëm se çdo punëtor është i ndryshëm dhe mund të ketë idetë e veta për qëllimet e tij të karrierës. Bëni qëllimet e karrierës pjesë të kulturës për të treguar se jeni të hapur për të biseduar për këto qëllime. Nëse paratë/paga janë një problem, mos hezitoni të keni një bisedë me punëtorët për cilëndo çështje që mund të ketë ndikim tek punëtorët.
2. Siguroni një rrugë të qartë trajnimi dhe zhvillimi të stafit.
Është e rëndësishme të ofrohen mundësi trajnimi, që dërgon tek zhvillimi profesional i stafit . Analiza e Nevojave të Trajnimit (ANT), është një qasje sistematike për të përcaktuar se çfarë trajnimi duhet të ndërmerret nga Kompania. Analiza e nevojave për trajnim merr në konsideratë nevojat e afarizmit, kompetencat aktuale të stafit, metodat e trajnimit, koston dhe efektivitetin e trajnimit. Analiza e ANT-së, në kompani duhet të bëhet për identifikimin e saktë të programeve të trajnimit, për të adresuar nevojat për trajnimin e punonjësve, nevojën për të përcaktuar se kush duhet të trajnohet dhe për çfarë do të trajnohet.
3. Krijimi i një plani të përbashkët
Punoni me punëtorët/stafin tuaj për të zhvilluar një plan që pasqyron qëllimet e tyre dhe tuajat si biznes/kompani. Kjo duhet të bëhet përmes Planit Zhvillimor Personal, është e mençur që kjo të plotësohet me një vlerësim të nevojave për trajnim në nivel të Drejtuesve të Departamenteve, të iniciuara dhe të monitoruara nga BNJ-së, në mënyrë që Drejtuesit e Departamenteve të mund të japin treguesit e tyre për çdo mungesë të aftësisë për detyra dhe aktivitete përkatëse brenda fushave të tyre të punës. Detyrat dhe roli i Burimeve Njerëzore në kompani është plotësimi i nevojave të burimet njerëzore, duke u mbështetur në strategjinë e ndërmarrjes dhe biznesit të saj, përkrahja e politikave dhe praktikave të punësimit, adaptimit dhe integrimit të burimeve njerëzore duke zbatuar politikat e zhvillimit të tyre si dhe krijimi i hapësirave dhe mundësive të punëtorëve në mënyrë të vazhdueshme.
4. Mbështetja në mënyrë aktive për stafin tuaj
Ju duhet të mbani nën shqyrtim dhe vëzhgim progresin e karrierës së punëtorëve siç janë mentorimi dhe trajnimi për vendin e punës që janë mënyra ideale për të zhvilluar aftësitë profesionale në pozitën në të cilën ai/ajo është i ngarkuar. Programet e trajnimit/mentorimit në vendin e punës janë krijuar për të inkurajuar zhvillimin personal dhe profesional të një të mentoruari përmes shkëmbimit të aftësive, përvojave dhe njohurive.
Punëdhënësit që ofrojnë mundësi bindëse për progres në karrierë dhe rrugë trajnimi dhe zhvillimi profesional kanë shansin më të mirë për t’i mbajtur punëtorët e talentuar. Kulturat që promovojnë dhe mbështesin në mënyrë transparente të mësuarit dhe rritjen kanë më shumë gjasa të mbajnë punëtorët dhe të tërheqin talent të rinj. Kjo ka të bëjë me besimin e punëtorëve dhe fuqizimin e tyre në zhvillimin e karrierës së tyre, ndërkohë që ju gjithashtu rritni biznesin/kompaninë tuaj.
Së bashku, është mënyra më e mirë se si punëtorët dhe kompanitë mund të lulëzojnë.