Rëndësia e pozitës së nënpresidentit amerikan
Prej korrikut, kur nënpresidetja amerikane Kamala Harris e ka fituar përkrahjen e demokratëve kryesorë për ta zëvendësuar presidentin amerikan Joe Biden, në tiketën presidenciale të partisë, mediet amerikane kanë spekuluar se kë do të zgjedhë ajo për të garuar në pozitën e nënpresidentit.
Më 6 gusht është bërë e qartë. Harris e ka zgjedhur guvernatorin e Minesotas, Tim Walz.
Njëjtë spekulimet kanë qenë të mëdha edhe në periudhën 15-18 korrik, kur kandidati i republikanëve për president, Donald Trump, është dashur të zgjedhë kandidatin që potencialisht mund të bëhet nënkryetar i Shteteve të Bashkuara.
Në fund ai e ka zgjedhur senatorin nga Ohajo, J.D.Vance, i cili si 39-vjeçar, do të mund të bëhet nënpresidenti më i ri në historinë amerikane, nëse Trump i fiton zgjedhjet.
Kushtetuta amerikane përcakton që presidenti duhet t’i ketë të paktën 35 vjet.
Mirëpo, pavarësisht gjithë ekzaltimit që rrethon garën e nënpresidentëve, ata rrallë janë në krye të lajmit pasi të fitojnë këtë pozitë, dhe kur të fitojnë vëmendje – siç thotë edhe një shaka – punët nuk janë mirë.
Pavarësisht se mban pozitën e dytë më të rëndësishme në shtet, një nënpresident ka më pak përgjegjësi.
Nënpresidenti shërben si president i Senatit amerikan, dhe kryeson mbledhjet e tij.
Mirëpo, nënpresidenti nuk ka të drejtë të votojë për një legjislacion, përveç nëse ky institucion me 100-anëtarë është i bllokuar, diçka që ka ndodhur gati 250 herë në historinë e shtetit.
Nënpresidenti ka përgjegjësi edhe për certifikim të rezultatit të Kolegjit Zgjedhor, pas zgjedhjeve presidenciale.
Kjo detyrë ka qenë historikisht e zakonshme deri më 6 janar 2021, kur Trump, atëherë ish-president, ka tentuar t’i bëjë presion nënpresidentit të atëhershëm, Mike Pence, që të refuzojë rezultatin e zgjedhjeve, por që Pence nuk ka pranuar të veprojë ashtu.
Nënpresidentët e përfaqësojnë presidentin në ceremoni zyrtare, sikurse në funerale, konferenca, samite dhe ngjarje tjera.
“Nënpresidenti zyrtarisht bën pak”, ka thënë Justin Vaughn, profesor i shkencave politike në Universitetin Coastal Carolina, i cili ka në fokus presidencat amerikane, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Pavarësisht përgjegjësive më të vogla, një nënpresident mund të ngjitet në krye të pushtetit, në rast se presidenti nuk mund ta ushtrojë më mandatin, vdes, jep dorëheqje, apo largohet prej zyrës për krime.
Skenarë të tillë kanë ndodhur vetëm dy herë në 61 vjetët e fundit.
Ish-nënpresidenti Lyndon Johnson, është betuar si president, pas vrasjes së presidentit John F. Kennedy, më 1963, derisa ish-nënpresidenti Gerald Ford, është ngjitur në krye të Shtëpisë së Bardhë më 1974, pasi presidenti i atëhershëm, Richard Nixon ka dhënë dorëheqje, për shkak të përfshirjes së tij në skandalin Watergate, hyrjen famëkeqe në selinë e Komitetit Kombëtar të Demokratëve në Uashington.