Rënia e Kosovës në indeksin për liri ekonomike, Bajrami: Një tjetër regres i qeverisë Kurti
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se qeveria Kurti, ka bërë edhe një regres tjetër sa i përket aspektit ekonomik të Kosovës.
Bajrami ka theksuar se Kosova ka pësuar rënie në indeksin e lirive ekonomike, nga 67.4 pikë që kishte më 2020 tani në vitin 2024 ka vetëm 60.6 pikë.
Ajo ka përmendur disa arsyet që kanë çuar në rënien e lirive ekonomike.
“Një tjetër regres i Qeverisë Kurti. Sipas raportit të ‘Heritage Foundation’ të publikuar me 17 korrik, 2024 Kosova në indeksin e lirive ekonomike shënon vetëm 60.6 pikë, derisa në vitin 2020 Kosova shënonte 67.4 pikë. Se keq-qeverisja përkthehet në indekse të përkeqësuara nuk kemi pasur asnjë dyshim. Korrupsioni endemik, mungesa e reformave fiskale e strukurore, kapja e dhe politizimi i secilit institucion rregollator, tentimi i ndërhyrjes në ekonomi përmes ligjeve antikushtetuese, natyrisht se lënë gjurmë në liritë ekonomike”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Më tutje, Bajrami ka cituar raportin nga organizata “Heritage Foundation” në të cilën është përmendur korrupsion, furnizimi i pasigurt me energji elektrike, ekonomia informale e të tjera çështje.
“Në raportin e publikuar për liritë ekonomike nga organizata ‘Heritage Foundation’, ndër të tjera thuhet: ‘Pavarësisht normave pozitive të rritjes, ekonomia karakterizohet nga paqëndrueshmëria politike, korrupsioni, furnizim i pasigurt me energji, ekonomi e madhe informale dhe me një sundim të ligjit të dobët. Kosova ka zbatuar reforma miqësore për biznesin, por korniza e përgjithshme rregullatore mbetet e rëndë. Aktiviteti i tregut informal mbetet i konsiderueshëm. Tregu formal i punës nuk është zhvilluar plotësisht. Stabiliteti monetar është dobësuar dhe normat e fundit të inflacionit janë rritur me më shumë se 7 për qind’”, ka shkruar Bajrami.