Rënia e lavdishme e dy heronjve

03 nëntor 2019 | 12:55

Shkruan: Mehmet HAJRIZI

Në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut (4)

1. Periudha historike në të cilën vepruan heronjtë tanë karakterizohet me rrethanat tepër të rënda politike në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Veprimtaria e tyre e gjatë dhe e përkushtuar, sa vinte dhe i bënte më të vendosur, më të guximshëm, më të përgatitur dhe me besim të patundur në fitoren e sigurt të luftës së popullit të tyre për liri dhe pavarësi, për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ata dinin t’i vlerësonin dhe të orientoheshin në situatat politike ndër më të ndërlikuarat. Detyrat prej militanti dhe drejtuesish organizativë ata i bënin me një përkushtim të rrallë, me guxim e vullnet të hekurt dhe devocion e pasion rinor.

Virtytet e tyre sublime njerëzore e atdhetare, politike e morale, u bënë pjesë e rëndësishme e sistemit të vlerave që kultivoi LKSH. Pjesë e rëndësishme e këtyre vlerave të trashëguara nga heronjtë tanë, janë edhe një varg shkrimesh të Afrim Zhitisë, në të cilat trajton çështje të ndryshme të jetës shqiptare nën robëri. Ato janë bërë me kompetencë shkencore dhe politike, të denja për një intelektual të përgatitur mirë për punën profesionale. Afrimi ishte njëkohësisht kontribuues i teorisë dhe praktikës revolucionare e çlirimtare.

Siç ka vërejtur autori Adem Gashi, Afrimi në shkrimet e tij dhe letrat nga burgu respekton rigorozisht standardin e shqipes letrare. Në letrat që ai i dërgon familjes nga burgu, për t’iu shmangur censurës, shfrytëzon gjuhën e Ezopit. Për ilustrim të përmendim: mjetet tjera të domosdoshme…që të qëllohen parazitët… (f. 161 e librit, Adem Gashi, a-ZH Vetëtimat e Nëntorit, Prishtinë, 2005), vdekjen e njeriut që i ka kryer detyrat (169), lajmet e radios që parashohin kohën e bukur me diell (f. 171), ëndërrimin e diellit (lirisë), (f.172). marrëveshjen me bomba (173), drutë e malin për çrrënjosjen e dimrit (f.173), vitin e ri që sjell forca të reja (173), nervozen e mosbesimit në forcat e veta (f. 175), potencialin e jetës që shtyn drejt qëllimeve të larta (f. 178), arën që e pret krahun (f. 179), lumturinë e lëmoshës (f.180), dëshirën e jashtme armiqësore ndaj dëshirave (idealeve) tona (f. 187) etj., etj. Dielli si metaforë e letrave të Afrimit, i shoqëroi heronjtë tanë deri në Kodrën e Diellit, ku u flijuan për të.

Si veprimtarë të hershëm dhe tashmë me përvojë, ata lidhen breza të LKSH, duke pasuruar përvojën dhe duke i ngritur politikisht e teorikisht radhët e saj. Veprimtaria e tyre i lidh dy periudha të lavdishme të rezistencës, asaj 1981 dhe 1989. E para ishte përgatitur nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare e viteve ’70-të, kurse e dyta gjatë viteve të rimëkëmbjes së saj, pas vitit 1981.

2. Fushata antishqiptare pas kryengritjes së vitit 1981 kishte për qëllim ta kthente kohën e Rankoviqit në Kosovë, të çrrënjoste çdo vatër të rezistencës kundër regjimit dhe të hapte frontin e gjerë të luftës revanshiste kundër shqiptarëve. Por, nuk ishte më koha e Rankoviqit, sepse LKSH-së nuk i duheshin më dhjetë vjet për rimëkëmbje si atëherë, por vetëm dhjetë muaj. Efekti i luftës kundër saj ishte krejt i kundërt; nuk dobësohej po rritej e fuqizohej akoma më shumë, ngjashëm me rritjen e radhëve të UÇK-së pas rënies së komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij në Prekaz.

Viti 1989 karakterizohej me një rizgjim kombëtar në Kosovë. Lëvizja, përkrah forcimit të veprimtarisë klandestine, organizoi masat për të demonstruar në rrugë. Po kryheshin edhe vepra sabotimi, por kishte edhe përpjekje të organizimit ushtarak. Në fakt, pas kryengritjes së vitit 1981 në LKSH po ngjizej ideja e fillimit praktik të rezistencës së armatosur.

3. Më 1984 ranë me armë në dorë Rexhep Malaj, Nuhi Berisha e më vonë Bajram Bahtiri. Në luftë me forcat serbe, duke u tërhequr nga një demonstratë më 1989, në fshatin Shtedim ra dëshmor Ali Ajeti. Më 1989 në zonën e Llapit veproi grupi i armatosur që u quajt “Qeta e Llapit” etj. Afrimi dhe Fahriu rezistencën e armatosur e shihnin jo vetëm si mundësi teorike në një të ardhme të papërcaktuar, por si diçka shumë praktike për të cilën duhej menduar seriozisht. Këta dhe bashkëveprimtari i tyre i shquar, Fadil Vata ishin paralajmëruesit dhe pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare.

Fahri Fazliu e çmonte lart qëndresën e Rexhep Malajt në burg, kurse rezistenca e tij dhe e Nuhiut kundër forcave policore në Kodrën e Trimave, e kishte entuziazmuar shumë, prandaj thoshte: “Nëse më jepet rasti do t’ua krisi ashtu si Rexhepi, Nuhiu e shokë të tjerë. I gjallë nuk bie në duar të armikut”.

4. Më 31 tetor dhe 1 e 2 nëntor të vitit 1989, demonstratat në Kosovë kishin arritur përmasa dramatike. Më 1 nëntor vritet Bedri Sokoli, veprimtar sypatrembur dhe militant i përgatitur, kurse shumë të tjerë u plagosën rëndë. Afrim Zhitia mban një fjalim të zjarrtë në demonstratë, me të cilin i drejtohej masës prej 12.000 vetave: “Vëllezër dhe motra, jemi tubuar këtu që me forcë ta ngremë zërin kundër pushtuesve shovinistë serbo-maqedono-malazez, të cilët po ushtrojnë dhunë e terror mbi popullin tonë, të cilët vazhdojnë ta mbajnë Kosovën tonë të shtrenjtë të okupuar e në pozitë koloniale…”

Më 2 nëntor 1989, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, rrethohen nga forcat serbe veprimtarët, organizatorët dhe drejtuesit e LPRK-së, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të cilët pas rezistencës plot dhjetë orë kundër qindra forcave kriminale të regjimit, bien heroikisht në altarin e lirisë. Kriminelët vrasës, përveç armëve të zjarrit kundër dy dëshmorëve përdorën edhe helme kimike, kurse pas vrasjes, ua dhanë edhe nga një plumb në ballë.
Rënia e Fahriut dhe Afrimit, vdekja e hershme e Fadil Vatës, shok i ngushtë dhe bashkëluftëtar i tyre , vrasja e Xhemajli Berishës më 1989 etj., ishin goditje tepër e rëndë për LPRK dhe LKSH në përgjithësi, por Kosova i përballoi sfidat dhe e mbajti kursin e saj drejt fitores përfundimtare.

Përfundim

Më shumë se vetë sundimi serb në Kosovë, ka zgjatur historia e doktrinës serbe kundër shqiptarëve. Ofensiva e shovinizmit serbomadh kundër Kosovës dhe shqiptarëve nën Jugosllavi më 1981 ishte përvijuar shumë më herët, që më 1976 në dokumentin voluminoz, të ashtuquajtur “Libri i Kaltër”, sipas të cilit duhej reduktuar ose hequr autonomia e Kosovës dhe e Vojvodinës për të funksionuar në mënyrë unitare Republika e Serbisë.

Sipas kësaj doktrine dhe strategjisë së veprimit antishqiptar, mund të thuhet se Kosovës iu përcaktua dënim me vdekje, por historia u zhvillua sipas ligjeve të dialektikës dhe jo sipas atyre të Serbisë. Se kush do të vdiste, populli shqiptar apo shteti jugosllav, do ta përcaktonin shpejt vitet e fundshekullit XX.

Një shekull përpjekjesh serbomëdha për ta realizuar këtë doktrinë të tërë antishqiptare patën përballë rezistencën njëqindvjeçare të pareshtur, të vendosur dhe gjithnjë në rritje të shqiptarëve, deri në ngadhënjimin kundër asaj doktrine. Njëqind vjet luftë, njëqind vjet gjenocid, njëqind vjet represion e sakrifica e kanë dëmtuar rëndë Kosovën, duke mbetur “shtëpia e të varfërve të Evropës”, vend i pazhvilluar e i prapambetur, por e kanë robëruar edhe vetë Serbinë, duke i sjellë dëme të parikuperueshme.
Pas gati gjashtëdhjetë vjet përpjekjesh e sakrificash, rëniesh e ngritjesh, LKSH e Kosovës po hynte në dekadën e nëntë të shekullit të kaluar më e përgatitur se kurrë në rezistencën kundër pushtuesit serb e jugosllav.

Ky dhjetëvjetësh fillon me kryengritjen e madhe shqiptare të vitit 1981, e cila shënoi fillimin e fundit të sundimit serb në Kosovë dhe hapi kapitullin e intensifikimit të rezistencës masive shqiptare gjithandej në trevat shqiptare nën Jugosllavi.

Si rezultat i këtij intensifikimi të përpjekjeve të hapura e të fshehta dhe i transformimeve radikale në gjithë bllokun e të ashtuquajturit socialist, në kapërcyell të dhjetëvjetëshit vijues Kosova u përfshi në flakët e luftës finale të udhëhequr nga UÇK, e cila rezultoi me dëbimin e forcave serbe dhe ngadhënjimin mbi robërinë gati njëshekullore.

Vitet tetëdhjetë të LKSH të trajtuara në këtë studim shënojnë fitoren më të madhe deri atëherë të rezistencës kundër regjimeve pushtuese serbe e jugosllave në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi, duke kthyer vëmendjen e botës demokratike te çështja e pazgjidhur shqiptare. Përpjekjet titanike të LKSH gjatë viteve tetëdhjetë nga vëzhguesit e huaj shiheshin jo vetëm si një mundësi e çlirimit të shqiptarëve, por edhe si një epiqendër e tërmetit të madh e rrënues të Jugosllavisë politike.

Këto dhjetë vjet të rezistencës aktive patën bilanc tragjik të sakrificave të ndërgjegjshme, kur nga radhët e LKSH ranë në altarin e lirisë dhjetëra veprimtarë të shquar dhe drejtues profesionistë dhe qindra dëshmorë të tjerë, për të mos vdekur kurrë. Mijëra të tjerë u vranë ose u plagosën me armë zjarri dhe dhjetëra mijë të tjerë u dënuan me burg. Vetëm gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare në policinë e regjimit pushtues u trajtuan jo më pak se një e treta e popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës.

Këto janë sakrificat njerëzore, pa llogaritur humbjet dhe dëmet në ekonomi, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, veprimtarinë botuese, informative, sportive etj. Ky ishte çmimi i lirisë, e cila siç thuhet me të drejtë, rrënjët i ka në gjak.

Pas rënies së dy heronjve, dikush mbi varrin e Afrim Zhitisë la nja letër pusullë në të cilën shkruante: “Bie një ngrihen njëmijë”. Ky ishte efekti i çdo humbjeje të luftëtarëve të lirisë, ky ishte shpjegimi me një fjali i fenomenit të ringjalljes si Feniksi të LKSH dhe vetë dialektika e zhvillimit të saj.
Regjimi pushtues nuk i kishte kuptuar ligjet e zhvillimit të rezistencës së re shqiptare të viteve tetëdhjetë, kur LKSH ishte bërë e paasgjësueshme, por edhe e pandalshme në zhvillimin dhe rritjen e saj.

Akti i fundit dhe logjik i ekspansionit serb qe lufta. Për Serbinë ishte luftë për të fituar përjetësisht Kosovën, ose për ta humbur përjetësisht, kurse për shqiptarët për liri a vdekje.
Sikur të mos ekzistonte veprimtaria e dendur, konsistente dhe e pareshtur e LKSH, qëllimet e Serbisë nuk do të kalonin nëpër gjithë këto faza të mundimshme, por do të arriheshin shumë herët dhe shumë shpejt. Ky është kuptimi dhe justifikimi i vuajtjeve e sakrificave, i gjakut të derdhur në emër të Kosovës së lirë.

Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia ranë krah për krah, duke iu përgjigjur zjarrit me zjarr. Oshtima e armëve të Nuhi Berishës dhe Rexhep Malajt në Kodrën e Trimave më 1984 dhe e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut më 1989 në Kodrën e Diellit, paralajmëronin vitin e afërt të oshtimës së armëve të UÇK-së në Kosovë. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykatat e Kosovës po vazhdojnë zvarritjen e lëndëve civile dhe…