RËNKIM NDJENJASH

11 janar 2023 | 20:11

Të shkruash për dashurinë, nuk të duhet zinxhiri i gjatë i fjalëve. Dashuria është fuqi magjepsëse, ajo hedh shkëlqimin e vet mbi ndjenjat. Ndjenjat janë shprehur në mënyrë të përkryer te fjalët, të cilat, pastaj, rrjedhin te pena e poetit. Poezia, jo pak herë, është vendstrehimi më i mirë dhe më i këndshëm në shpalosjen e ndjenjave.

Fshehtësive të shpirtit, Mentor Hajrizi, u këndon me ngjyrime poetike. Poeti Hajrizi është poet i ri, i cili në vëllimin e parë poetik fut një faktor esencial, e ky faktor është biografia e tij. Brenda këtij vëllimi, poezia merr emrin e dashurisë, duke u lëkundur në krahë dhembjeje, vetmie, dëshpërimi e ëndrra brenda.

As lapsi i dashurisë,
s’mjafton,
nganjëherë,
për ta thurur gardhin e jetës…

Kur pothuaj çdo shpresë i kishte ikur, vargu dhe gjuha e poezive të tij bëhen biografia e tij më besnike. Vargjet e tij për dashurinë kanë një strukturë të formës, një kthjelltësi të përmbajtjes e një varg të mbushur kuptim dhe më të tjetërllojshëm nga vargu i poetëve të tjerë.

Nga përmbajtja e të gjitha poezive, poeti kujdeset vazhdimisht për të ruajtur një ekuilibër dhe një unitet shpirtëror midis çdo vargu të çdo poezie.

Ai me mjeshtëri i këndon dashurisë së zhveshur nga urrejtja, edhe pse që në hyrje të vëllimit shfaqet dyvargëshi:
“Dashuria e tepruar është një kthim urrejtjeje e sforcuar, një lojë dehjeje e artit dashuror në jetë”.

Dyvargëshi që i paraprin tërë vëllimit, në të vërtetë, nuk është mesazhi që poeti ia ngarkon lexuesit, ndonëse valvula emocionale e zemrës së tij ndiente sikur fjalët e poezisë janë mjeti më i mirë për ta shprehur atë që nuk mund ta thoshte në mënyrë tjetër.

Ajo është shpërfillëse dhe e pandjeshme ndaj dashurisë. Subjekti lirik bie në vartësi të saj. Herë-herë revoltohet dhe mendon se do të mundë t’u rezistonte ndjenjave, mirëpo kujtimet për “Atë” e ndjekin hap pas hapi. Andaj, duke u lidhur me fijezat e së vërtetës së ndjenjave, shkruan vargjet:

Rezistencë,
vatrës simbolike të ndjenjave,
të qitura në parzëm.

Gjendja lirike e subjektit lirik është e konfrontuar në dy alternativa të cilat ecin paralelisht dhe të cilat rreshtohen përballë njëra-tjetrës, asaj që ekziston dhe asaj që ishte, si dy fije të pakëputura, dhe ç’është më pikëlluesja këtu, “futja e thikës”, e sheh veten të zhytur në tendosjen midis tyre. Nevojitet forcë e jashtëzakonshme për një ndryshim gjendjeje, përderisa në vargje subjekti lirik e përjeton deri në skaj gjendjen e krijuar:

Më mungon ti,
po futja e thikës pas,
më la të baltosur.

Në përmbyllje të këtij vështrimi që po e shpalos sot pranë jush, them se rruga që unë u përpoqa ta ndjek sa i përket vështrimit kritik, është ajo e veçorive të elementeve ideoestetike të librit.

Vëllimi poetik, “Thermë e shpirtit të ndezur”, është i ndarë në pesë cikle dhe vargu i lirë është vargu i cili pothuajse zotëron te të gjitha poezitë.

Poezitë për dashurinë zgjojnë emocione. Dashuria, që nga kohërat e lashta e deri në ditët e sotme, si temë në poezi, është një burim i pashtershëm i frymëzimit dhe, si e tillë, vazhdon t’i frymëzojë edhe poetët bashkëkohës.

Kosovare KRASNIQI, recensuese

Prishtinë, shtator 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglou rrezikon sërish të futet në…