RËNKIMI
ALI PODRIMJA
RËNKIMI
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar ta kanë tytat
e vatrat shkimbur deri në një;
zogun në qiell vrarë ta kanë- me duar të mia të çara,
me rrashtat tona t’shpuara mbuluar t’kanë.
Qaj,
rrafshi im i dashur, qaj!
Në flakën e oxhakut, t’oxhaqeve tona therë e pjekur kanë deshtë me këmborë, pragje thyer e konaqe mbyllur.
gjakun pijë na kanë në sofrën tonë
e na – vdekur kemi për mbretër, sulltanë…
Qaj,
rrafshi im i dashur, qaj!
Gjak e rrashta në ty kam shkelur konak e më konak duke të të rënë; dasmën me dy tre krushqi e kam bërë e dekën jashtë pragut si sytë e ballit nxjerrë e kam kur na kanë gjuajtur,
kur na kanë vrarë.
O, qaj tokë e dashur, qaj!
Plepi im qiellin do të shpojë, plepi im i kallur –
qiellin e humbur maje një shpate.
PËRTEJ DHIMBJES
Ka rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të
shituar, Kosovë.
Konaqet e tua deri në themel po rrënohen,
e përtej dhimbjes do britje shemben me ballin tim,
me krahët e zogut tim të vrarë me dashurinë e
njerëzve të mi të kallur etjeje.
Rreth trupit tënd si gjarpër mbështjellë jam,
vatrat e shkimbura për t’i përflakur,
duar e këmbë t’i lidh me lëmshin e përrallave të tua –
se s’të lëshoj gjallë me gjak, pa të larë pëllëmbë për
pëllëmbë, eshtra e jetë në ty pa i lënë
konak e më konak pa të ndezur flakë…
Kam rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të
shituar prej pushkës kobzezë, prej pushkës
së padukshme…
Cila do të jetë kënga ime e mbramë dhe fjala e fisit tim
Plepi i shtëpisë sime u dogj, ku t’i preh sytë,
ku ta shuaj flakën e ujës për ty, Kosovë?
ANKTHI
Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë…
Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje…
Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë
e ngrirë n’ajër?
Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes?
– Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më
kish mbirë!
Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar…
(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)