‘Reporterët pa Kufij’: Mediet në Kosovë vuajnë nga ndikimi direkt politik
Kosova është renditur në mesin e vendeve me medie pjesërisht të lira, në raportin e ri të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”.
Kjo organizatë ka vlerësuar se mediet në Kosovë vuajnë edhe nga ndikimet direkte politike.
“Mediet në Kosovë vuajnë nga ndikimet direkte dhe indirekte politike, presion financiar si dhe varësi nga pronarët”, është thënë në raportin e organizatës “Reporterët pa Kufij”.
Më tutje është thënë se gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare, përballen me akuza për tradhti ose simpati ndaj serbëve.
“Reporterët pa kufij”, në veçanti kanë përmendur rastin kur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte ardhur në pushtet duke marrë drejtim e Qeverisë dhe ku ai i pati quajtur të pashkolluar gazetarët, raporton “Rel”.
“Pak ditë pasi kishte krijuar Qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë dhe i këshilloi ata që t’i kthehen shkollës”, është thënë në këtë raport.
Raporti në fjalë përmend edhe sulmin ndaj dy gazetarëve hulumtues për të cilët ka thënë se u sulmuan pasi kishin bërë raportime kritikuese për Qeverinë dhe aleatët e tyre.
Kosova renditet në vendin 78-të në listën e organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”.