Reprezentuesi i Kosovës po kujdeset që Deçani të vazhdojë të jetë qendër e rëndësishme e hendbollit
Aloja e Besa Famgas dhe e Kombëtares së Kosovës, Drilon Tahirukaj, po bën punë shtesë me synim që ta mbajë Deçanin si qendër të rëndësishme të hendbollit.
Tahirukaj është nga Deçani dhe është njëri prej katër reprezentuesve të Kosovës që kanë nisur hendbollin në këtë qytet me traditë në sportin tonë.
Ai krahas angazhimeve me Besa Famgas, po punon si trajner në Deçan, në skuadrën me të njëjtin emër. Është i fokusuar në punën kryesisht me kategori të reja.
Deçani vazhdimisht ka dhënë lojtar të rëndësishëm për hendbollin dhe Tahirukaj është i vendosur që kjo të vazhdojë. Hapja e palestrës në këtë qytet pritet t’i jap hov zhvillimit të hendbollit.
“Ideja ka nisur me shokët e skuadrës ku edhe kam filluar si lojtar, pra te Deçani. Kemi filluar këtë vit më seriozisht dhe puna po shkon shumë mirë. Kemi diku rreth 20 pionierë, të vitit të lindjes 2005 e më të rinj. Nuk dëshirojmë që të shuhet një vatër e hendbollit kosovar. Jemi duke u përgatitur për garat e pionierëve pra për mosha të reja. Shpresojmë të kemi suksese, puna po shkon shumë mirë, fëmijët e duan shumë sportin tonë dhe shpresojmë të realizojmë diçka.
Unë jam i angazhuar si trajner, bashkë me Valmir Selmanajn, që ka marrë përsipër pothuajse gjitha obligimet për klubin, që ai mos të shuhet. Duhet të përmend edhe Fatlind Mazrekajn, që ka kontribut të madh në këtë rrugëtim tonin për një të ardhme më të mirë për qytetin e hendbollit, Deçanin”, ka treguar Drilon Tahirukaj.
Ai është i vetëdijshëm se aktualisht gjendja në skuadrën e Deçanit nuk është e mirë, por është optimist se me angazhim do të kthehen gjërat në rrugën e duhur. Pranë këtij grupi është edhe Drenit Tahirukaj, një tjetër reprezentues i Kosovës që bën karrierë në Zvicër.
Driloni punon edhe me ekipin e të rriturve të Deçanit, që është në Ligën e Parë.
“Shpresojmë që palestra e ndërtuar të hapet sa më shpejtë. Presim përkrahje edhe nga komuna, që ka premtuar ndihmë. Shpresojmë edhe për ndihmë nga ndonjë biznes privat. Stërvitjet aktualisht po i mbajmë në sallën e shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit”, thotë Drilon Tahirukaj.
Ai shpreson që edhe reprezentues tjerë të japin kontribut në qendra më të vogla për ta shtrirë hendbollin në sa më shumë vende.
(Federata e Hendbollit e Kosovës).