Republika e Kosovës dhe perspektiva e saj brenda Këshillit të Evropës

12 maj 2023 | 15:20

Shkruan: Arben Dashevci  (MA EU Politics)

A do të ndërlidhet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës me procesin e dialogut Kosovë – Serbi, mbetët të shihet, mendimet janë të ndara në këtë aspekt, duke pas parasysh që çdo gjë lidhet me këtë dialog aty qëndron edhe brenga ime, shpresoj ta kem gabim dhe gëzohem shumë nëse e kam gabim. Shpresoj të jenë procese të ndara me njëra-tjetrën!

Por, Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe tash më jemi në agjendë.

Aplikacioni do të shqyrtohet së shpejti nga Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes reale në Kosovë, fjalën përfundimtare do e jep asambleja parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare.

Zyra kryesore e Këshillit të Evropës, gjendët në Strasburg, Francë, ajo përfshin zyra të jashtme dhe ndërlidhje me organizatat e tjera ndërkombëtare.

Qendrat evropiane të rinisë në Strasburg dhe në Budapest ofrojnë trajnim të të rinjve për çështje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.

Këshilli i Evropës punon në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian, me Kombet e Bashkuara, me organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) dhe me shumë shtete partnere në të gjithë botën, është themeluar më 1949.

Komiteti i Ministrave

Komiteti i Ministrave është organ vendimmarrës, i përbërë nga Ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve anëtare ose përfaqësuesit e tyre të përhershëm diplomatikë në Strasburg.

Ai përcakton politikën e Organizatës, miraton buxhetin e saj, si dhe përcakton programin e veprimtarive.

Asambleja Parlamentare

Si organ vendimmarrës, Asambleja Parlamentare është motori i Këshillit të Evropës.

Ajo ka prodhuar traktate të shumta ndërkombëtare që kontribuojnë për të krijuar një hapësirë legjislative pan evropiane.

Përfaqësuesit e saj emërohen nga parlamentet kombëtare të çdo shteti anëtar.

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale

Kongresi Autoriteteve Lokale dhe Rajonale është një institucion i Këshillit të Evropës, përgjegjës për forcimin e demokracisë lokale dhe rajonale në 46 shtetet anëtare të tij. I përbërë nga dy dhoma – Dhoma e Autoriteteve Lokale dhe Dhoma e Rajoneve – dhe tre komisione, ai sjell së bashku 612 zyrtarëve të zgjedhur që përfaqësojnë më shumë se 150.000 autoritetet lokale dhe rajonale.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Gjykata është organ gjyqësor i përhershëm që u garanton të gjithë evropianëve të drejtat e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjykatës mund t’i drejtohen shtetet ose individët, pavarësisht nga kombësia e tyre.

Të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës janë palë në Konventë.

Komisionari për të Drejtat e Njeriut

Komisioni për të Drejtat e Njeriut është organ i pavarur, përgjegjës për të promovuar edukimin dhe sensibilizimin për të drejtat e njeriut dhe respektimin e tyre në shtetet anëtare.

Komisionari luan rol themelor parandalues.

Pranimi

Pranimi bëhet me 2/3 e votave të shumicës, dhe ne kemi tash më shumicën e votave.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranoj parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti. .

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin, terrorizmin si dhe kryerjen e reformave gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit të Evropës janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Të drejtat e njeriut

Përmes konventave ndërkombëtare. Në to përfshihen Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave, kundër dhunës në familje, si dhe Konventa për krimet kibernetike(Që është TOP temë në botë).

Këshilli monitoron përparimin e vendeve anëtare dhe bën rekomandime përmes trupave të ekspertëve.

Vendet anëtare të Këshillit të Evropës nuk kanë më ligje që mundësojnë dënime me vdekje.

Financimi

Për vitin 2022, Këshilli i Evropës ka buxhet prej 477 milionë eurosh.

Buxheti krijohet kryesisht nga kontributet e të gjitha vendeve anëtare.

Kontributet bazohen në një formulë që merr parasysh bruto-prodhimin e brendshëm.

Në mesin e vendeve që kanë kontribuuar më shumë deri më tash janë: Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse(e përjashtuar) dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të hollat shfrytëzohen për të zbatuar programin, i cili bazohet në tri fusha: të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Vendet anëtare

Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe tash së shpejti edhe Kosova..

Vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Dallimi mes Këshillit të Evropës dhe Këshillit Evropian

Këshilli i Evropës është organizatë e ndarë nga Këshilli Evropian, i cili ka 27 vende anëtare(Britania e madhe është larguar përfundimisht).

Asnjë shtet nuk është anëtarësuar dhe nuk mund të anëtarësohet në BE, pa iu bashkuar fillimisht Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare dhe promovon demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Kurse, Këshilli Evropian është institucioni më i lartë i Bashkimit Evropian.

Dhe së bashku me Komisionin Evropian hartojnë politikat e BE-së.

Aplikimi

Më 16 mars 2023  të këtij viti, Rusia është e përjashtuar nga Këshilli i Evropës, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar të Despotit Putin në Ukrainë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës, dhe kjo është përparësia jonë reale.

Vendimet aty merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale dhe e rëndësishme , por vetëm në rast se vlerësohet që Kosova i plotëson të gjitha kushtet që kërkohen.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 Shkurt 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata shumë të rëndësishme ndërkombëtare (P.sh. Interpoli).

Na pret anëtarësimi në Bashkimin Evropian, Organizatën Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë agresive për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Anëtarësimi i radhës Interpoli

Kamë shkruar më gjerësisht për Interpolin në këtë Gazetë /Portal të nderuar më 26.11.2021 dhe aty e kam sqaruar rëndësinë e anëtarësimit në Interpol.

Ne gjithsesi prej shpalljes së pavarësisë, mundohemi duke lobuar që të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, sepse aty edhe e kemi vendin, jemi shtet i pavarur dhe Sovran.

Interpoli bënë pjesë në këto organizata, ku ne si shtet synojmë të anëtarësohemi, kjo është esenciale e jetike sepse rëndësia e anëtarësimit është e veçantë.

Nuk mjafton të jemi vetëm aktiv në lobim sepse duhet të jemi shumë proaktiv.

PSE?!

E mbani në mend shumë mirë tentim poshtërimet që na janë bërë si shtet, me arrestimet e liderëve dhe shtetasve  tanë anembanë Evropës dhe Botës me fletarrestim të pa baza dhe puro politike?!

Serbia na e bëri këtë tentim poshtërimi dhe dështoi si gjithmonë në fakte dhe në vepër.

Nuk patën sukses, sepse Interpoli nuk i përfilli më kërkesat e Serbisë, dhe në çdo gjykim të liderëve dhe shtetasve tanë duke kërkuar ekstradimin e tyre në Serbi, akuzat hidheshin poshtë si absolutisht të pa baza.

Pra, qëllimi i tyre ka qenë vetëm poshtërimi, dhe kjo nuk do elaborim më shumë…

Në rastin tonë pra me Kosovën, është esenciale dhe imediate, që ne të pranohemi edhe ne Interpol si anëtare e plotë dhe e barabartë dhe po e përsëris si anëtare e plotë dhe e  barabartë, me të drejta të barabarta.

Ne kemi një zyrë  për bashkëpunim me Interpolin në kuadër të Policisë së Kosovës, për shkëmbim informatash etj. Por, kjo nuk mjafton. -Ju lutem, më lejoni të përsërisë vetëm edhe njëherë: Zyra për bashkëpunim, nuk mjafton!

Me anëtarësimin e plotë në Interpol, shumë vuajtje tona marrin fund.-Shumë kriminel të luftës që na kanë vrarë dhe masakruar, duke mos zgjedhur as moshë as gjini, do të mbylleshin aty ku janë, dhe do te silleshin në rrethin e tyre vicioz , pa marr parasysh se kush janë ata dhe çfarë poste gëzojnë.

Për ne si shtet ka rëndësi që ata janë kriminel me fakte dhe fletë arrestet me fakte të pa tjetërsueshme i kishim shpërndarë ne si shtet anekënd Globit.

E drejta do te vuhej në vendin e vet dhe kriminelët do të shkonin aty ku e meritojnë, burgun dhe vetëm burgun.

“Kriminelët do të përgjigjeshin para drejtësisë, herët a vonë. Por, mos të harrojmë se  durimi ka shpërblimin e vet, dhe shpërblimi  do te jetë kur ata të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar për veprat e tyre të shëmtuara.”

Është e dyta herë që ne dështojmë në anëtarësim për shkaqe të ndryshme puro politike, por nuk ka dhe nuk duhet të ketë dorëzim.

Duhet të jetë e kundërta dhe nuk mjafton të jemi vetëm aktiv në këtë aspekt, sepse pro aktiviteti është ajo që na nevojitet.

Serbia lobon shumë dhe investon edhe me shumë që ne  si shtet, mos të anëtarësohemi.

Jam i bindur se kriminelët i pret humbja dhe arrestimet.

Andaj ne duhet të jemi proaktiv në anëtarësim dhe assesi JO vetëm aktiv, thjesht nuk mjafton.

Dhe krejt në fund:

Anëtarësimi potencial i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës është një armë shtesë në kuptimin e kryerjes dhe ekzekutimit të reformave gjyqësore, e njëkohësisht edhe një masë shtesë në luftimin e korrupsionit si dhe të gjitha formave të terrorizmit.

Këshilli i Evropës si pjesë përbërëse të saj ka edhe grupin e saj të ekspertëve për kushtetutë apo siç njihet ndryshe si Komisioni i Venecias, e që ofron këshilla ligjore për vende të ndryshme në botë.

Gjithashtu, Këshilli i Evropës si organizatë ndërkombëtare njihet edhe për mekanizmat e saj të cilat ani pse nuk kanë të drejtën e nxjerrjes së ligjeve, arrin që të ndikojë në nxitjen e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura dhe nënshkruara nga shtetet anëtare të saj.

Kjo do të ishte një përparësi e Kosovës në planin afatgjatë në kuptimin e arritjes së marrëveshjeve me vende të tjera anëtare dhe zbatimin e tyre, madje tejet e rëndësisë në zotimet e marrëveshjeve potenciale me Republikën e Serbisë!

Mitrovicë

12.05.2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ua ka konfirmuar gazetarëve në…