Republika e Kosovës dhe Republika e Ishujve Marshall kanë nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni Dr. Sabri Kiçmari dhe Ambasadori i Ishujve Marshall në Tokio z. Alexander Carter Bing kanë nënshkruar sot dy memorandume bashkëpunimi në mes të dy shteteve: Memorandum bashkëpunimi në fushën e trajnimit diplomatik dhe akademik dhe Memorandum Bashkëpunimi për konsultime politike.
Në Memorandumin e parë është paraparë bashkëpunimi në fushën e trajnimit diplomatik dhe akademik, kurse Memorandumi i dytë parasheh konsultime bilaterale dhe shkëmbim pikëpamjesh për çështje regjionale dhe ndërkombëtare.
Republika e Kosovës dhe Republika e Ishujve Marshall kanë marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunim të afërt në mes të dy shteteve. Ambasadori Kiçmari e ka vizituar Majuron (kryeqytetin e Ishujve Marshall) në shtator të vitit 2022, me rastin e dorëzimit të Letrës Kredenciale te Presidenti i Ishujve Marshall, Shkëlqësia e Tij z. David Kabua.