Republikanët kërkojnë të shtyhet votimi për gjykatësin Kavanaugh
Disa republikanë kanë kërkuar që votimi për Brett Kavanaugh, i emëruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për gjykatës të Gjykatës Supreme të ShBA-së, duhet të shtyhet, derisa të dëgjohen akuzat kundër tij për sulme seksuale.
Thirrja vjen pasi Christine Blasey Ford e ka akuzuar Kavanaugh për sulm ndaj saj në fillim të viteve 1980.
Kavanaugh i ka mohuar akuzat, të cilat kanë dalë pak ditë përpara se Komiteti Gjyqësor i Senatit të votojë për postin.
Edhe Kavanaugh, edhe Ford kanë thënë se janë të gatshëm të dëshmojnë para panelit.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, ka thënë se Ford “nuk duhet të fyhet ose injorohet” dhe se duhet të dëshmojë nën betim.
Senatori republikan i Arizonës, Jeff Flake, ka thënë se dëshmia e Ford duhet të dëgjohet.
“Duhet ta dëgjojmë. Dhe mendoj se nuk jam i vetmi që mendoj kështu”, ka thënë Flake.
Republikani Bob Corker, ka thënë se votimi duhet të shtyhet derisa Ford të dëgjohet, ndërsa republikania Lisa Murkowski, ka thënë se shtyrja është “diçka që duhet të konsiderohet”.
Demokratët po ashtu kanë kërkuar shtyrje të votimit derisa çështja të hetohet.
Akuzat e Fordit janë bërë publike në fundjavë, ndërsa votimi për Kavanaugh është planifikuar për të enjten.
Gjykata Supreme është shpesh fjala e fundit për ligjet e diskutueshme dhe nëntë gjyqtarët e saj kanë një ndikim të madh në jetën politike amerikane. (Rel)