Republikanët shpallin kandidatin e 4 në dy javë për kreun e Dhomës
Në fund, republikanët amerikanë bënë zgjedhjen e tyre të katërt në vetëm dy javë për të zëvendësuar kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.
Ata shpallën si kandidat Mike Johnson, përfaqësuesin e Luizianës: vendimi erdhi gjatë natës me votimin e fundit me dyer të mbyllura të konferencës së deputetëve konservatorë.
Johnson, i cili mori 128 vota, është kandidati i katërt i propozuar pas largimit historik të Kevin McCarthy më 3 tetor.
Deri më tani dy kandidatë, Steve Scalise dhe Jim Jordan, nuk kanë arritur kuorumin në votat në Dhomë, ndërsa i treti, Tom Emmer, lideri i mazhorancës, u detyrua të dorëzohej ndaj reagimit të ish-presidentit Donald Trump, duke njoftuar tërheqjen e tij nga gara pak orë pasi u emërua nga partia, kur kuptoi se nuk do të merrte numra të mjaftueshëm për t’u zgjedhur.
Johnson është një avokat i specializuar në çështjet kushtetuese: ai ishte arkitekti i strategjisë së miratuar më 6 janar 2021 për të kundërshtuar legjitimitetin e zgjedhjes së Joe Biden si president.
Partia Republikane është në kaos total dhe po e çon në paralizë aktivitetin e Kongresit, i cili pritet të mbajë votime të rëndësishme për politikën ndërkombëtare.
Pengesë e pakapërcyeshme është emërimi i kryetarit të Dhomës së Deputetëve (pozicioni i tretë në vend), prerogativë e Partisë së Madhe të Vjetër.
Mbrëmja e djeshme u karakterizua nga kandidati i fundit, kongresmeni i Minesotës, Tom Emmer, i cili përfundoi i shkarkuar brutalisht brenda pak orësh.
Ai ishte kandidati i tretë që ra viktimë e përçarjeve të brendshme mes republikanëve.
Emri i Tom Emmer ishte formuluar nga vetë partia, por shpejt u bë e qartë se ai nuk do të kishte vota të mjaftueshme.
Mbi të gjitha, rëndonte “siluri” i hedhur nga ish-presidenti dhe “i forti” i republikanëve, Donald Trump.
“Ai nuk është një njeri i ‘Maga‘-s”, deklaroi Trump, duke iu referuar akronimit “Make America great again”, slogani që mishëron linjën e tij politike.
“Zgjedhja e tij do të ishte një gabim tragjik”, vazhdoi ish-presidenti, duke akuzuar Emmer se nuk i kishte respektuar kurrë udhëzimet e tij.
Emmer u mbështet ndër të tjera nga ish-kryetari i Dhomës, Kevin Mc Carthy, i cili u rrëzua nga krahu më pro-Trump i Partisë Republikane, sepse ai kishte miratuar votimin presidencial që kishte çuar në zgjedhjen e Biden në Shtëpinë e Bardhë.