Republikani Asa Hutchinson shpall kandidaturën për president
Ish-guvernatori i shtetit të Arkansasit, republikani Asa Hutchinson, ka bërë me dije se do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
“Jam i sigurt se njerëzit duan udhëheqës që duan më të mirën e Amerikës”, tha Hutchinson në një intervistë të transmetuar për programin “This Week” të televizionit ABC.
Ai tha se do ta bënte njoftimin zyrtar për shpalljen e kandidaturës në muajin prill në Arkansas.
“Kam marrë një vendim dhe vendimi im është që do të kandidoj për president të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
72-vjeçari Asa Hutchinson la detyrën në janar, pas tetë vjetësh si guvernator.
Ai ka shtuar kritikat e tij ndaj ish-presidentit muajt e fundit, duke e cilësuar rikandidimin e Trumpit si “skenarin më të keq” për republikanët dhe duke u shprehur se kandidimi i tij ka të ngjarë të shtojë shanset për fitoren e presidentit Joe Biden në vitin 2024.
Përveç Trumpit, kandidaturën për president nga radhët e republikanëve e ka shpallur edhe ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB Nikki Haley dhe sipërmarrësi Vivek Ramaswamy.