Reshitaj kërkon nga kryetari i Vushtrrisë ta fuqizojë inspektoratin komunal
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur të martën në takim kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, me të cilin kanë biseduar për projektet që MMPH-ja po i financon në këtë komunë.
Ministrja Reshitaj ka shprehur gatishmërinë e saj që, sipas mundësive buxhetore, t’i përkrahë komunat në projektet e tyre zhvillimore, në veçanti në fushën e mjedisit.
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka prezantuar disa projekte që komuna e Vushtrrisë synon t’i realizojë. Ai ka kërkuar mbështetje nga MMPH-ja për blerjen e 50 kontejnerëve të mbeturinave për amvisni.
Çështje tjetër që u diskutua në këtë takim ishte edhe rregullimi i shtratit të lumit Sitnica. Ministrja Reshitaj ka njoftuar kryetarin e Vushtrrisë për rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë dhe Sitnicës, ku do të investohen 3 milionë e 50 mijë euro për vitet 2018-2021. Sipas saj, 200 mijë euro janë paraparë të investohen këtë vit.
“Fillimisht duhet të bëhet një studim fizibiliteti për ta parë se ku saktësisht duhet intervenuar më shpejt. Pas këtij studimi do të nisë pjesa e parë e projektit”, është shprehur ministrja Reshitaj.
Sa iu përket mbeturinave, ministrja Reshitaj ka paraqitur projektin për deponitë ilegale dhe shndërrimin e tyre në zona të gjelbra. Ministrja ka kërkuar nga kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ta fuqizojë inspektoratin komunal dhe të punojë në tri fushat kryesore që kanë të bëjnë me mjedisin, tokën, ujin dhe ajrin.