Reshitaj kryetarëve serbë: Ofroni qytetarëve mundësi të integrohen në shoqëri
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj po merr pjesë në konferencën me kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës, të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me mbështetjen e misionit të OSBE-së në Kosovë.
Gjatë kësaj konference ministrja Reshitaj ka folur për shumë çështje të mjedisit dhe planifikimit hapësinor, për të cilat komunat duhet të angazhohen më shumë.
“Kosova ka ligje dhe akte nënligjore konform direktivave të Bashkimit Evropian, por zbatimi i tyre nuk është në nivelin e duhur, kemi investuar në shumë projekte kapitale të cilat nuk janë menaxhuar si duhet nga institucionet përgjegjëse, andaj kërkojë nga ju që bashkërisht t’i shtyjmë proceset përpara”, është shprehur Reshitaj.
Reshitaj ka pasur një porosi edhe për kryetarë e komunave me shumicë serbe, duke thënë se mjedisi është i përbashkët dhe i tillë duhet të trajtohet nga të gjitha komunitetet, andaj ka kërkuar që të gjithë t’i bashkohen iniciativave për pastrimin dhe gjelbërimin e shtetit.
“Më vjen keq për ata fëmijë që tani janë bërë burra e gra, që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë jetë të izoluar, me dhjetëra gjenerata që nuk kanë çfarë të kujtojnë nga fëmijëria e tyre pos urrejtjes, izolimit, mosqasjes në liri e integrim shoqëror. Ju lus që të ndalojmë së mbjelli urrejtje tek fëmijët tonë, ne jemi ata që më së miri i dimë pasojat, sepse i kemi bartur vetë mbi supet tona. Jemi ne ata që mund dhe duhet të fillojmë kthesën e proceseve në drejtim të duhur, andaj ju ftojë të gjithëve që bashkë të punojmë për ndërtimin, zhvillimin dhe integrimin e shtetit tonë në mekanizmat ndërkombëtar”, ka deklaruar Reshitaj.