Reshitaj mbajti takimin e parë të Task Forcës për ajrin
Me ftesë të kryesueses së Task Forcës për ajrin, ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj është mbajtur të mërkurën takimi i parë i kësaj task force, ku morën pjesë ministra e zëvendësministra të cilët janë pjesë e kësaj task force të krijuar me vendim të Qeverisë pas kërkesës së ministres Reshitaj.
Ministrja Reshitaj ka paraqitur para të pranishmëve përgjegjësitë institucionale që kanë anëtaret e kësaj task force, si dhe veprimet që ajo është duke ndërmarrë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Ajo ka kërkuar nga ministrat e zëvendësministrat angazhim në realizimin e përgjegjësive që dalin nga ligjet dhe udhëzimet administrative që rregullojnë fushëveprimin e ajrit.
“Bashkë më ministrat do të punojmë në reduktimin e cilësisë së ajrit, duke investuar në zgjerimin e rrjetit të kogjenerimit, ndërrimin e filtrave të termocentraleve, kontrollimin e derivateve të naftës, matjen e gazrave që lirojnë veturat, krijimin e sistemit informativ shëndetësor etj”, ka thënë ministrja Reshitaj.
Nga ana tjetër anëtaret e kësaj task force duke përgëzuar ministren për iniciativën dhe angazhimin e saj, paraqiten veprimet që ata janë duke ndërmarrë si dhe u zotuan që do të punojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Në fund të takimit dolën edhe konkluzionet e para të kësaj task force duke përfshirë; vendimin për ndalimin e dhënies falas të thëngjillit nga KEK-u për punëtorët e kësaj korporate nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik; Ministria e Infrastrukturës shumë shpejt fillon trajnimin e stafit të qendrave të kontrollimit teknik të automjeteve ku deri në fund të vitit do të fillojë edhe kontrollimi i gazrave të veturave dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga ky vit ndalon përdorimin e thëngjillit për ngrohje në shkolla; Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar krijimin e komitetit për shëndet mjedisor dhe të sistemit informativ shëndetësor.
Po ashtu është bërë me dije se kanë filluar inspektimet e rrepta nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës.
Me kërkesën e ministres Reshitaj, Ministria e Punëve të Brendshme ka iniciuar krijimin e policisë së gjelbër.
Task Forca për ajrin do të këtë takimi kontinuele për të siguruar implementimin e veprimeve në përmirësimin e cilësisë së ajrit.