Reshitaj: Mund të futet sërish në fuqi ndalimi i veturave në Prishtinë
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, ka njoftuar se mund të futet sërish në fuqi ndalimi i veturave në kryeqytet nëse vlerat e ndotjes së ajrit do të shënojnë rritje.
Ndalimi i veturave në qendër të Prishtinës ndodhi vetëm dy ditë pasi sipas Reshitajt ‘ajri u përmirësua’.
“Ndryshoi situata sa i përket nivelit të ndotjes dhe nuk kishte më nevojë”, deklaroi ajo për televizionin “Dukagjini“.
Por, këto dy ditë sipas saj, mjaftuan që të vërehen rezultate pozitive. Vendimin e tillë ajo e quan sukses.
“Ideja e ndërprerjes apo reduktimit të veturave në disa pika të kryeqytetit mendoj se ka pas sukses në dy rrafshe: Në njërën se është reduktu, normalisht që e redukton nivelin e ndotjes por jo deri në atë nivel sa deri në dy dytë të arrijë ta ndryshojë situatën. Mirëpo në anën tjetër ka qenë një ndërgjegjësim i qytetarëve se paska mundësi që me një transformim të trafikut urban qyteti të frymojë më lirshëm dhe të frymojë më ndryshe që është një nevojë e jashtëzakonshme sidomos e kryeqytetit, sepse është një transport stresues, përpos ndotës edhe stresues”, theksoi ajo.
Ministrja Reshitaj ka paralajmëruar sërish masa të njëjta nëse niveli i ndotjes së ajrit do të kaloj limitet e lejuara.
“Ajo do të futet sërish nëse do të kemi situatë të njëjtë”, përfundoi ajo.
Prishtina vazhdimit renditet në mesin e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.