Reshitaj në takim me BERZh-in për trajtimin e ujërave të zeza
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj, ka pritur të hënën në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe të Bankës Evropiane për Investime (BEI), me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin në ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Kosovë.
Në këtë takim është diskutuar lidhur me financimin e projekteve te impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, infrastrukturës përcjellëse (rrjeti i kanalizimit dhe kolektorët) në Gjilan dhe Mitrovicë si dhe për impiantet që janë në realizim e sipër.
Me këtë rast, ministrja Reshitaj pasi ka falënderuar përfaqësuesit e BERZh-it dhe BEI-së për përkrahjen dhe bashkëpunimin në fushën e ujërave, ka theksuar se ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujerave të zeza është me rendësi të madhe për Kosovën dhe mirëqenien e qytetareve të saj.
“Është prioritet i MMPH-së ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në tërë territorin e Kosovës pasi që lidhet drejtpërdrejtë me kualitetin e jetës dhe mbrojtjen e biodiversitetit në vend”, ka thënë Reshitaj.
Ndërsa përfaqësuesit e BERZh-it dhe BEI-së kanë përgëzuar ministren Reshitaj për angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve mjedisore, me theks të veçantë në trajtimin e ujërave të zeza.
Ata janë zotuar se përkrahja për Kosovën në këtë sektor do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
/Epoka e re/