Reshitaj në Uashington, merr mbështetje nga Banka Botërore
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, në kuadër të vizitës së saj në Uashington po vazhdon takimet me udhëheqës të Bankës Botërore në Uashington.
Ministrja Reshitaj ka zhvilluar një takim me drejtoreshën e operacioneve strategjike në Bankën Botërore Anna Wellenstein dhe menaxherin e projekteve Jorge Munoz.
Në këtë takim ministrja Reshitaj i ka falënderuar ata për përkrahjen që Banka Botërorë po u jep projekteve të ndryshme në Kosovë e në veçanti atyre që kanë të bëjnë me mjedisin dhe planifikimin hapësinor.
Reshitaj ka vlerësuar edhe investimet që Banka Botërore ka bërë dhe po bënë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, duke përfshirë rindërtimin e informacioneve kadastrale, renovimin e zyrave kadastrale në komuna, regjistrimin e ndërtesave kolektive, dhe krijimin e sistemit referent të GPS-it.
Në këtë takim Reshitaj ka paraqitur edhe prioritetet e saj si ministre e mjedisit, përfshirë trajtimin e ujërave dhe menaxhimin e mbeturinave duke kërkuar mbështetje të Bankës Botërore në këtë drejtim.
“Kërkoj nga ju mbështetje. Jam e informuar për një pajisje për pastrimin e mbeturinave nëpër lumenj dhe jam e interesuar të kemi rezultate konkrete që qytetarët e Kosovës të mund t’i shohin ato”, është shprehur Reshitaj.
E nga ana tjetër drejtoresha e operacioneve strategjike në Bankën Botërore, Anna Wellenstein, ka përgëzuar ministren Reshitaj, për angazhimin dhe përkushtimin e saj në përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.
Ajo ka përmendur edhe përkrahjen që Banka Botërore po i jep Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në instalimin e teknologjive të reja në këtë agjenci.
Ministrja Reshitaj po qëndron në vizitë zyrtare në Uashington, ku do të ketë takime edhe me përfaqësues të lartë të Departamentit të shtetit amerikan.