Reshitaj: Një pjesë e qytetarëve që janë të karantinuar kanë shqetësime
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj dhe anëtarët e tjerë kanë vizituar sot Qendrën e Studentëve ku po qëndrojnë të karantinuarit.
Ajo ka thënë se kanë kërkuar nga akterët përgjegjës, drejtori i Qendrës së Studentëve dhe koordinatori përgjegjës i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë, informata dhe detaje për procedurat e karantinimit.
Po ashtu, Reshitaj ka thënë se kanë marrë informata edhe nga vetë të karantinuarit për kërkesat dhe problemet e tyre.
“Gjithashtu, kemi kërkuar detaje të procedurës së karantinimit të të ndjerit të Gjilanit, se me çfarë protokolli aplikohet në këtë qendër karantinë dhe në bazë të cilave kritere lirohen para kohës, pra para 14 ditëve”, është shprehur ajo.
Reshitaj ka theksuar se do t’i analizojnë raportet nëse po testohen të karantinuarit pas daljes dhe pas hyrjes në karantinë dhe nëse ka lirime të të karantinuarve me arsye.
“Kemi kërkuar të dimë nëse ka edhe profesionistë të psikologjisë në ekipin mjekësor që u qëndrojnë afër atyre që edhe të frustruar janë të obliguar të jenë në karantinë. Një pjesë e qytetarëve që janë të karantinuar kanë shqetësimet e tyre. Për të mos pasur frustrim të shoqërisë kosovare dhe dallime mes tyre, pra për të mos pasur gjithë këtë problem duhet të ketë transparencë totale për të gjitha procedurat”, është shprehur ajo.