Reshitaj: Po mbjellim të ardhmen e vendit tonë brenda Evropës
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, sot iu bashkua aktiviteteve të organizatës rinore “Kuvendi i të rinjve të Suharekës”, me rastin e Ditës së Evropës – 9 maj.
Me këtë rast ministrja Reshitaj së bashku me kryetarin e komunës së Suharekës Bali Muharremaj e shumë vullnetarë të rinj mbollën pemë dekorative në oborrin e Komunës së Suharekës, te parku i qytetit dhe në fshatin Sellagrazhdë si dhe rregulluan pjesë të gjelbra në këtë qytet.
Gjatë këtyre aktiviteteve ministrja Reshitaj përgëzoi të rinjtë për vullnetin dhe punën e tyre në mbrojtjen dhe kujdesin që kanë për mjedisin duke vlerësuar se duke mbjellë drunjë e duke u kujdesur për zonat e gjelbra “ne mbjellim të ardhmen e vendit tonë brenda Evropës”.
Reshitaj deklaroi se do të punojnë bashkë edhe me të rinjtë për të rritur nivelin e kujdesit ndaj mjedisit.
Aktiviteteve me rastin e 9 majit iu bashkuan edhe udhëheqësit e bashkësive fetare, myslimane e katolike në Suharekë, duke mbjellë së bashku pemë me ç‘rast ministrja Reshitaj vlerësoi se aktivitetet e tilla të përbashkëta ngritin nivelin e tolerancës ndërfetare në Kosovë, si vlerë e lartë civilizuese.