Reshitaj: Prioritet i MMPH-së do të jetë rregullimi i shtretërve të lumenjve
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj së bashku me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot kanë përuruar fillimin e punimeve të projektit “Rregullimi i shtratit të Lumit Krena”, projekt ky i cili financohet nga MMPH-ja dhe ka vlerën financiare afër gjysmë milion euro.
Me këtë rast ministrja Reshitaj ka thënë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka prioritet rregullimin dhe përmirësimin e gjendjes së lumenjve në tërë komunat e Republikës së Kosovë. “Rregullimi i shtretërve të lumenjve në gjithë Republikën e Kosovës është një domosdoshmëri. Si ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me përkushtim të madh jemi duke punuar në fillimin e realizimit të projekteve për rregullimin e shtretërve të lumenjve në gjithë Republikën e Kosovës”, ka thënë Reshitaj.
Ajo ka thënë se rregullimi i shtratit të lumit Krena do të jetë në dobi të banorëve dhe vet komunës si dhe do të ruaj florën dhe faunën si pasuri e çmuar natyrore. “Ky projekt do të mundësoj edhe evitimin e rrezikut nga vërshimet e mundshme dhe do të krijoj mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm duke balancuar aspektin ekonomik, social dhe mjedisor”, është shprehur Reshitaj.
Para të pranishmëve, Reshitaj ka vlerësuar se përmes projektit të rregullimit të shtratit të lumit Krena, Komuna e Gjakovës do të përfitojë një shëtitore, që do të jetë një korridor ku do të shërbejë për lëvizje të lirë për qytetarët dhe banorët e kësaj ane.
Reshitaj ka shtuar se MMPH-ja përveç lumenjve, ka prioritet edhe shtrirjen dhe instalimin e ujësjellësit në fshatrat e komunës së Gjakovës. “Në vazhdën e angazhimeve tona nëpër komuna, si ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, jemi duke mbështetur dhe financuar edhe Projektin për Përfundimin e Punimeve të Ujësjellësit për 28 fshatra në Gjakovë, projekt ky që do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetareve të Gjakovës”, u shpreh Reshitaj.