Reshitaj takon Shoqatën e Prindërve të ndarë, u premton mbështetje të parezervë
Deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj ka pritur të hënën në takim përfaqësueset e Shoqatës për Prindër të ndarë (Single Parent Association APS).
Reshitaj përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” ka thënë se kjo është e vetmja shoqatë përfaqësuese që për qëllim ka mbështetjen dhe fuqizimin e prindërve të vetëm në Kosovë, raporton “Epoka e re”.
“Shoqata e prindërve të ndarë është e vetmja shoqatë përfaqësuese që ka për qëllim mbështetjen dhe fuqizimin e prindërve të vetëm në Kosovë duke kontribuar prë një jetë më të mirë për ta dhe për fëmijët e tyre. Kjo shoqatë ka identifikuar mbi 150 nëna të të gjitha komuniteteve në komunat e Kosovës por ka edhe shumë të tjera të paidentifikuara dhe që kanë nevojë për përkrahje institucionale”, ka thënë Reshitaj.
Ajo i ka siguruar kësaj shoqate mbështetje në misionin e tyre.
“I sigurova mbështetje të parezervë në misionin e tyre për promovimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e nënave vetë-ushqyese, për qasje në shërbime, të drejtën pronësore dhe fuqizimin e tyre ekonomik”, është shprehur Reshitaj.