Reshitaj: Jemi të vendosur për ta fuqizuar ekoturizmin
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj së bashku me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kanë nënshkruar të mërkurën një memorandum mirëkuptimi për mbikëqyrjen e duhur të burimeve në fshatrat Gradocë dhe Dollancë të Suharekës.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, ministrja Reshitaj ka thënë se qëllimi i këtij memorandumi është fuqizimi i ekoturizmit në Komunën e Suharekës.
“Këto iniciativa janë në përputhje me planin zhvillimor dhe politikat progresive të ndërmarra nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ndihmojnë në fuqizimin e turizmit malor. Këto investime do të rrisin kualitetin e jetës në përgjithësi dhe posaçërisht do të ndihmojnë në zhvillimin e ekoturizmit, si nevojë e veçantë dhe mundësi reale për Komunën e Suharekës marrë parasysh relievin e kësaj komune”, ka thënë Reshitaj.
Me këtë rast ministrja Reshitaj ka thënë se shumë shpejtë MMPH-ja, do të ketë investime në rregullimin e shtratit të lumit Tophulla, në mbledhjen e fidanëve për rreth rrugës Suharekë-Prizren dhe në zgjerimin e parqeve të gjelbra në qytetin e Suharekës.
“Të gjitha këto projekte investuese në Suharekë dhe në Bjeshkët e Sharrit do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit si dhe do të fuqizojnë agro dhe ekoturizmin”, është shprehur ministrja Reshitaj.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Suharekës për investime në projektet kapitale në fushën e riciklimit të mbeturinave.
Reshitaj ka falënderuar Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) për mbështetje në fushat e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Ndërsa kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se komuna që ai drejton ka një numër të madh të projekteve që do të realizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
/Epoka e re/