Reshjet e borës, kjo është gjendja e rrugëve në Kosovë
Ministria e Infrastrukturës (MI) ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës se të gjitha rrugët në menaxhim e kësaj ministrie janë të hapura për qarkullim, përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës.
“Kompanitë e kontraktuara, në vazhdimësi janë duke pastruar rrugët regjionale, magjistrale, nacionale dhe autostradat. Me qëllim të parandalimit të ngricave, po intervenohet edhe me hedhje të kripës. Rrugët e pastruara dhe të hapura për qarkullim janë edhe në viset malore, në të cilat ka reshje më të dendura të borës”, ka njoftuar MI-ja.
Sipas këtij njoftimi, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vozitin në përputhje me rregullat e komunikacionit, duke ju përshtatur kushteve atmosferike, me qëllim të evitimit të aksidenteve të mundshme.
“Rikujtojmë se MI-ja, nuk është përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugëve lokale, tek të cilat mund të intervenohet vetëm pas kërkesës së komunave”, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës.