Reshjet më të mëdha të dëborës në dekadën e fundit, ShBA-ja përgatitet për të ftohtin ekstrem
Dhjetëra milionë amerikanë po përgatiten për një stuhi të madhe dimri që mund të sjellë reshjet më të mëdha të dëborës dhe temperaturat më të ulëta në më shumë se një dekadë.
Stuhia, e cila ka nisur nga mesi i SHBA-së, do të lëvizë drejt lindjes gjatë ditëve të ardhshme, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).
Një gjendje emergjence është shpallur në shtetet e Kentuckyt dhe Virxhinias. Disa zona të SHBA-së që nuk janë mësuar me të ftohta ekstreme, përfshirë Misisipin dhe Floridën, janë paralajmëruar të presin kushte të rrezikshme.
Parashikuesit e motit thonë se i ftohti ekstrem po shkaktohet nga “vorti i polarit”, një zonë ajri e ftohtë që qarkullon rreth Arktikut.
“Kjo mund të jetë dëbora më e madhe në më shumë se një dekadë”, tha Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA).
Parashikuesi i AccuWeather, Dan DePodwin, tha: “Kjo mund të çojë në janarin më të ftohtë për SHBA-në që nga viti 2011. Temperaturat që janë shumë më të ulëta se mesatarja historike dhe mund të qëndrojnë në qarkullim për thuajse një javë”.
Këto temperatura të ulëta do të ndodhen edhe në bregun lindor, ku stuhia pritet të arrijë deri në mbrëmjen e së dielës, transmeton TCh.
Disa zona të Kansasit dhe Indianës mund të shohin të paktën 20.3 cm dëborë, ndërsa në disa pjesë të Midwestit mund të ketë breshër dhe stuhi dëbore.
Dëborë dhe shi i ngrirë parashikohet për Misurin, Ilinoisin dhe pjesë të Kentuckyt dhe Virxhinias Perëndimore.
Ndërsa stuhia lëviz drejt lindjes, miliona amerikanë të tjerë do të përballen me temperatura rekord të ulëta, thanë parashikuesit.
Qytetet si Uashington DC, Baltimore dhe Filadelfia po përgatiten për dëborë dhe akull nga e diela deri të hënën. Reshjet e dëborës mes 12 dhe 30 cm mund të regjistrohen në disa pjesë të Virxhinias.
Po ashtu, të dielën, pjesë të jugut të SHBA-së, përfshirë Arkanzasin, Luizianën dhe Misisipin mund të përballen me stuhi të forta.
Kompani ajrore si American, Delta, Southwest dhe United po heqin tarifat për ndryshimin e biletave për pasagjerët për shkak të mundësisë së ndërprerjeve të fluturimeve.