Reshjet shkaktojnë përmbytje në disa zona në Shqipëri

20 nëntor 2022 | 15:17

Që nga orët e vona të së shtunës, Shqipëria është përfshirë nga reshje të shumta shiu, ku për pasojë ka pëmbytje në disa qarqe, kryesisht në zonat veriore.

Situata paraqitet më e vështirë në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës, por probleme ka edhe në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka thënë në një deklaratë për media më 20 nëntor, se deri tani janë evakuar dy familje në zonën e Malësisë së Madhe, ndërsa në Shkodër ka edhe mungesë të energjisë elektrike për shkak të problemeve që kanë shkaktuar reshjet e dendura. Në këtë qark është regjistruar edhe sasia më e madhe e reshjeve, prej 190 milimetër shi.

Pas kësaj situate është mbledhur Komiteti i Mbrojtjes Civile për të përcaktuar planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për të menaxhuar situatën në vazhdim, pasi metereologët kanë parashikuar se reshjet do të vijojnë të jenë prezente në gjithë territorin e vendit.

Lumenjtë Drin, Buna, Kiri, etj., janë afër kuotës maksimale, por deri tani nuk kanë dalë nga shtrati. Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje Bashkive që të marrin masa.

Deri tani nuk ka një bilanc se sa është numri i banesave të përmbytura apo sa është sipërfaqja e tokës nën ujë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se reshjet e shiut me intensitet të lartë në të gjithë vendin, kanë shkaktuar edhe rënie të gurëve dhe inerteve në disa akse rrugore, si; Bajram Curri-Valbonë, Hani Hotit-Tamarë, Vlorë-Orikum. /REL

Tokë bujqësore e përmbytur në Gjadër të Lezhës, Shqipëri. 20 nëntor 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eden Hazard ka pranuar se nuk është më në më…