RESNJA – QYTETI I MOLLËS ME IDENTITET TË TJETËRSUAR

22 gusht 2022 | 00:02

Shkruan: Berat Luzha

Resnja është një qytet i vogël, qendër komunale e mbi 40 fshatrave dhe qendër ekonomike e administrative e krahinës gjeografike e etnografike të Prespës. Qyteti është ndërtuar në pjesën veriore të krahinës së Prespës, në një fushë të begatshme bujqësore mes malit e liqenit, në lartësi mbidetare 880 metra. Resnja lidhet me rrugë të mira me Korçën (70 km), Ohrin (36 km) dhe Manastirin (32 km).

Krahina e Prespës, me kryeqendër Resnjën, ndahet në Prespën e Epërme, Prespën e Madhe dhe Prespën e Vogël dhe shtrihet në tri shtete: Maqedoni Veriore, Greqi e Shqipëri, siç ndahen edhe dy liqenet me emrin Prespa. Kjo krahinë rrethohet nga të gjitha anët me fshatra shqiptare, një pjesë e të cilave e ka humbur identitetin etnik. Lugina e Prespës, ku gjendet qyteti i Resnjës, është një zonë fushore e mbyllur nga Liqeni i Prespës dhe nga malet e larta mbi 2000 metra, Pelisteri, Galiçica etj.

Në lashtësi në afërsi të Resnjës ka ekzistuar qyteti ilir Damastion. Resnja njihet në histori që nga pushtimet romake, në kohën kur nëpër këtë qytezë ka kaluar rruga antike Via Egnatia. Për herë të parë përmendet në një hartë të Car Dushanit të vitit 1337 me emrin Resan. Nga shek. XVIII është formuar çarshia e Resnjës, atëherë kur qyteti filloi të zhvillohet ekonomikisht përmes zhvillimit të poçerisë dhe të tregtisë. Në fillim të shek. XIX Resnja merr statusin e qytetit dhe shndërrohet në qendër administrative të krahinës së Prespës.

Nga Resnja ishte Ahmet Njazi Beu – Resneliu (1873 – 1913), një oficer shqiptar (kapiten i lartë) i ushtrisë osmane, i cili udhëhoqi Revolucionin Xhonturk në Vilajetin e Manastirit në vitin 1908. Ahmet Beu, pasi e kishte thyer depon ushtarake të Resnjës, bashkë me 200 burra tjerë doli në male, nga kërkonte të futet në fuqi Kushtetuta e vitit 1876 për heqjen e regjimit absolut të Sulltan Hamitit. Më vonë, pas fitores së xhonturqve, Ahmet beu ishte shpallë “hero i lirisë” dhe “luftëtar i lirisë”. Mirëpo, si hero i revolucionit xhonturk dhe si deputet në Kuvendin turk, Ahmet Beu ishte zhgënjyer shumë shpejt dhe jeta e tij kishte përfunduar në mënyrë tragjike; katër persona e kishin vrarë mizorisht në Vlorë në vitin 1913.

Pas Luftës së Dytë Botërore popullsia e qytetit të Resnjës është rritur vazhdimisht në numër. Derisa në vitin 1948 qyteti kishte 4737 banorë, në vitin 2002 ky numër ka mbërri në 9000 banorë. Nga 9000 banorët e Resnjës, vetëm 325 apo 3.7 për qind e tyre ishin deklaruar shqiptarë dhe 15.7 për qind ishin deklaruar turq. Kurse si komunë, në vitin 2002 ishin regjistruar afër 17 mijë banorë, nga të cilët 1536 banorë (9.1 për qind) të deklaruar shqiptarë, 1797 banorë (10.7 për qind) të deklaruar turq etj. Sot vetëm gjashtë fshatra kanë popullsi shumicë shqiptare e pesë të tjera kanë popullsi pakicë, kurse një pjesë e fshatrave malore kanë mbet pa banorë apo me shumë pak banorë. Një pjesë e popullsisë shqiptare të qytetit, por edhe të fshatrave që i përkasin besimit islam, pas LDB vazhdimisht deklarohen si turq, kurse shumë të tjerë të besimit ortodoks tashmë janë asimiluar në popullsi maqedonase. Shqiptarët dhe “turqit” në Resnjë flasin shqip dhe jetojnë në një lagje të përbashkët, të quajtur “Mëhalla e Turqve”. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Prespës kanë emigruar në Turqi, dekadave të fundit edhe në Australi, Kanada, SHBA etj. Derisa ndaj popullsisë shqiptare vazhdimisht, që nga viti 1913, është ndjekur politikë diskriminuese, popullsia e besimit ortodoks, qoftë sllave apo shqiptare, kanë përfituar nga qeveria për punësim, strehim etj., ndaj nuk kanë pas shumë arsye të emigrojnë jashtë vendit, siç kanë emigruar shqiptarët. Edhe romët, që jetojnë në komunën e Resnjës, shumë prej tyre flasin gjuhën shqipe të dialektit tosk, si gjuhë amtare dhe deklarohen si shqiptarë. Ata merren me muzikë tradicionale shqiptare dhe kanë formuar grupin muzikor “Sazet e Prespës”. Popullsia, e deklaruar si turke, tradicionalisht ka jetuar nëpër fshatra, kurse sot në dy fshatra e përbën shumicën e në tri fshatra është pakicë. Shumë prej presparëve “turq” ende flasin shqip, por e ndjejnë veten si turq.

Shqiptarët e Prespës, sikurse ata të Ohrit, Manastirit, Krushevës, Velesit, Prilepit, dikur shumicë e sot pakicë në rënie e sipër, sikur janë të privuar nga të drejtat elementare kombëtare, shoqërore e njerëzore. Ata e kanë të vështirë ta përdorin gjuhën shqipe në komunikim, ta përdorin flamurit kombëtar, ta realizojnë të drejtën e arsimimit të mesëm në gjuhën shqipe, të punësohen në organet shtetërore…

Prespa ka trashëgimi të pasur kulturore e historike, si lokalitete arkeologjike, kisha e manastire të vjetra, xhami të vjetra gjithandej zonës. Në Resnjë ndodhet saraji i Ahmet Njazi Bej Resnjës, i ndërtuar në fillim të shek. XX në një stil francez. Ahmet Beu u vra para se të përfundonte ndërtimi i sarajit. Ky saraj (pallat) sot është një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, ku janë të vendosura muzeu i qytetit, Kolonia e Qeramikës, galeria e arteve dhe biblioteka komunale. Kolonia e Qeramikës e Resnjës është anëtare e Akademisë Ndërkombëtare të Qeramikës, pjesë e UNESCO-s. Xhamia e Vjetër është ndërtuar në qendër të Resnjës në vitin 1592, kurse Xhamia e Re, e ndërtuar gjithashtu gjatë Perandorisë Osmane, ndodhet në “Mëhallën Turke”.

Nga ana ekonomike presparët merren me bujqësi, pemëtari, industri ushqimore, peshkim dhe turizëm. Veçanërisht Prespa njihet për prodhimin e mollës dhe për kopshtari. Çdo vit ajo i jep tregut të brendshëm e të jashtëm deri 60 mijë tonelata mollë. Si e tillë, Prespa është zona kryesore për prodhimin e mollës në R. e Maqedonisë V., por edhe në Ilirik. Në krejt zonën e Prespës janë të mbjella 3500 hektarë me mollë dhe, pothuaj të gjitha familjet që jetojnë në fshat, kanë pemishte me mollë.

Liqeni i Prespës dhe krahina e Prespës është nga zonat më turistike në Ilirik. Duhet përmendur pushimoret me plazhe të bukura në brigjet e Liqenit të Prespës, siç janë: Oteshevë, Pretor, Stenjë, Gjiri Lisa, fshati ekzotik Konjsko, fshati turistik Bratuçinë, Ishulli Qyteti i Madh (Golemgrad) në liqen etj. Në territorin e komunës së Resnjës ndodhen edhe dy parqe natyrore kombëtare; Parku Galiçica dhe Parku Pelisteri. Gjithashtu, Prespa përfshihet në Parkun ndërshtetëror të Prespës (Maqedoni, Greqi, Shqipëri), si parku i parë natyror ndërshtetëror në Ilirik, i shpallur më 2 shkurt 2000.

Ishulli shkëmbor i Qytetit të Madh, i njohur edhe si “Ishulli i gjarpërinjve” apo ishulli i Shën Pjetrit, ishte një vend murgjish. Ka sipërfaqe prej 1 km2, gjatësi 700 metra dhe gjerësi 450 metra. Ishulli kishte shtatë kisha, nga të cilat vetëm njëra, kisha shpellore e Shën Pjetrit, ka mbetur deri sot. Aty hasim mbetje të shtëpive, të kishave e nekropole që nga pushtimi romak e deri te mesjeta.

Parku i bukur i Prespës ka florë e faunë të pasur; rreth 1500 lloje bimësh, pastaj shumë lloje gjitarësh, amfibësh, zvarranikësh, peshqish, si dhe mbi 200 lloje zogjsh, duke përfshirë mjellmat e buta dhe pelikanin. Në fund të muajit shtator të çdo viti në Resnjë mbahet festa “Mollët prespane”, kurse në qershor, në fshatin Brajçinë, mbahet festa e përbashkët ndërkufitare “Ta njohim Prespën”.

Krahina gjeografike e etnografike e Prespës dhe dy liqenet e Prespës i dhurojnë vizituesit dhe turistit natyrë magjepse të paprekur, ujë të ftohtë e të pastër, si loti, plazhe të bukura, ditë të ngrohta me diell, net të freskëta… Në Resnjë dhe në Prespë shkohet nga Korça, nga Manastiri dhe nga Ohri. Mos e leni pa shkuar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politikanja serbe, Rada Trajkoviq, i ka sqaruar presidentit të Serbisë,…