‘Respektimi i Kushtetutës merr kuptim të plotë kur respektohet sovraniteti i Kosovës’
Ministria e Drejtësisë të hënën pasdite ka organizuar pritje solemne në shënimin e 11-vjetorit të Ditës së Kushtetutës të Republikës së Kosovës.
Në shënimin e kësaj date të rëndësishme, presidenti Hashim Thaçi, ka theksuar se Kushtetuta si akti më i lartë juridik përcakton bazamentin për sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës.
“Respektimi i Kushtetutës merr kuptim të plotë vetëm atëherë kur respektohet i gjithë sovraniteti i plotë i Kosovës”, ka thënë ai.
Thaçi është zotuar se institucionet e vendit do të vazhdojnë të respektojnë parimet bazë të Kushtetutës për sovranitetin e plotë, për barazi, lirinë e lëvizjes.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke kujtuar të kaluarën e lavdishme të Kosovës, ka vlerësuar se Kushtetuta është një dokument që garanton të arriturat për vendin, andaj kërkoi që Kushtetuta të respektohet.
Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se Kushtetuta është themeli i rendit juridik, politik e ekonomik e social, ndërsa kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi Rama, ka theksuar se ky institucion do të jetë i pa kompromis në respektimin e Kushtetutës. /Ksp/