Resul Sinani lë RTK-në, i bashkohet partisë së Limajt
Moderatori i lajmeve në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), Resul Sinani, ka bërë me dije se do ta lë punën në RTK dhe do t’i bashkohet Nismës Socialdemokrate.
“Me këtë rast, kam kënaqësinë dhe ndihem i nderuar por edhe krenar që kam mundësinë t’ju drejtohem shikuesve të RTK, kolegëve dhe të gjithë miqve të mi, por edhe familjes sime, për t’ju shprehur falënderimet e pakufishme që më kanë përkrahur, mbështetur, shoqëruar dhe më kanë qëndruar afër përgjatë gjithë këtyre viteve”, ka shkruar Sinani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Sinanit:
Një mirëmbetshi e pa thënë
Të nderuar miq,
Sot kisha menduar që ta kem edicionin e fundit të lajmeve në RTK, në studion ku jemi takuar prej 17 vjetësh, dhe aty t’ju thoja ‘mirëmbetshi’ për herë të fundit me mirënjohjen më të madhe ndaj jush!
Mirëpo, siç e keni kuptuar nga shkrimet e sotme në portale, unë kam vendosur që të mos e ushtroj më këtë profesion. Pas publikimit të këtij lajmi, “mirëmbetshi” më duhet t’ju them vetëm përmes këtij postimi në FB. Kolegëve të gazetës ‘Ekspres’, që e kishin kuptuar dhe e botuan lajmin, nuk di a t’ua marr inati, apo t’u them faleminderit, sepse e kisha të vështirë dhe nuk e di a do të mund ta përballoja moderimin e sontëm, duke e ditur se ai do të ishte i fundit. Ndoshta më mirë kështu!
Prandaj, përmes këtij postimi për të gjithë dua të konfirmoj dy gjëra:
– Po, nuk do të jem më në RTK dhe këtu e përfundoj udhëtimin tim në media pas gati 19 vjetësh.
– Po, do të jem i nderuar dhe krenar që do të bëhem pjesë e politikës përmes partisë Nisma Socialdemokrate.
Të tjera që janë shkruar në tekstet e portaleve, nuk i konfirmoj, por ia lë të ardhmes!
Përveç politikës, me mburrje e them se do të jem pjesë e Kolegjit AAB, ku do të vazhdoj të jap kontributin tim si profesor i lëndëve të komunikimit dhe gazetarisë, profesion të cilin e ushtroj prej më shumë se një dekade dhe për të cilin jam shkolluar.
Me këtë rast, kam kënaqësinë dhe ndihem i nderuar por edhe krenar që kam mundësinë t’ju drejtohem shikuesve të RTK, kolegëve dhe të gjithë miqve të mi, por edhe familjes sime, për t’ju shprehur falënderimet e pakufishme që më kanë përkrahur, mbështetur, shoqëruar dhe më kanë qëndruar afër përgjatë gjithë këtyre viteve.
Për vendimin tim, e di që e kam mirëkuptimin e të gjithë atyre duhet, prandaj i falënderoj, sepse ai mirëkuptim është motiv dhe shtytje në rrugëtimin e ri. Prandaj shumë faleminderit!
Puna e gjatë në media më ka mundësuar që të kem shumë miq nga skena politike, nga të gjitha partitë politike, me të cilët besoj që do të bëjmë më të mirën për t’i shërbyer vendit.
Kolegëve në Nisma Socialdemokrate, të cilëve shpejti do t’iu bashkohem në rrugëtimin e tyre që e kanë nisur para katër vjetësh, iu premtoj angazhim të sinqertë me gjithë potencialin tim.
Mirëmbetshi!