Resul Sinani për vizat: Qytetarët të gëzohen, kurse klasa politike duhet të reflektojë
Zyrtari i lartë i Nismës Socialdemokrate, Resul Sinani, ka komentuar rreth rekomandimit që pritet të jetë pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se ata që duhet të gëzohen, padyshim se janë qytetarët e Kosovës, biznesmenët e studentët, të rinjtë e të rejat dhe familjarët e bashkatdhetarëve tanë në diasporë.
“E, klasa politike, para se të mburret, duhet të reflektojë për këto 9 vjet të humbura, apo siç thotë një fjalë “mbushuni mend për tjera herë”!”, ka thënë Sinani.
Postimi i plotë i tij:
Sot pritet që më në fund edhe Kosova të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së, i cili i jep fund getoizimit dhe izolimit me të turpshëm dhe me të padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës!
Me shumë se për liberalizimin, do të gëzohesha nëse klasa politike do të merrte mësimin se në raport me BE-në duhet të jemi shumë të përgjegjshëm dhe shumë serioze në përmbushjen e obligimeve të cilat dalin nga MSA-ja apo çfarëdo marrëveshje tjetër që mund të kemi në rrugën e Kosovës deri në anëtarësimin e synuar në BE.
9 vjet pas vendeve fqinje dhe të fundit nga të gjithë, nuk lënë shumë vend për ekzaltim dhe mburrje për klasën politike, por përkundrazi duhet të jenë shkak për të reflektuar deri në pendim, sepse janë vite të humbura vetëm për shkak të veprimeve të tyre politike.
Ata që duhet të gëzohen, padyshim se janë qytetarët e Kosovës, biznesmenët e studentët, të rinjtë e të rejat, familjarët e bashkatdhetarëve tanë në diasporë, të cilët gjatë kësaj periudhe janë përballur me procedura të tmerrshme burokratike, me pritje të gjata, me plotësimin e kërkesave nga me absurdet, e jo rrallë edhe me fyerje e ofendime të cilat vështirë që mund të akceptohen.
Nuk di a ka mundur të këtë fyerje më të madhe për qytetarët e Kosovës se sa të ishim të vetmit dhe të fundit në të gjithë Evropën ndaj të cilëve aplikohej regjimi i vizave! Prandaj, shyqyr që po merr fund ky izolim absurd dhe i padrejtë për qytetarët e vendit tonë!
Për qytetarët, shumë urime!
E, klasa politike, para se të mburret, duhet të reflektojë për këto 9 vjet të humbura, apo siç thotë një fjalë “mbushuni mend për tjera herë”!